Prishtinë, 25 shtator 2023 – Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka shprehur ngushëllime për familjet e serbëve të vrarë dhe policit të Kosovës gjatë sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
Nga përleshja mes një grupi të armatosur dhe Policisë së Kosovës mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se katër sulmues të dyshuar janë vrarë gjatë përleshjeve në manastirin në Banjskë.
“Kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve, që u vranë me gjakftohtësi edhe pse u dorëzuan. Pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurtit?”, tha Lista Serbe, pa ofruar dëshmi për të mbështetur këto pretendime.
Kjo parti, që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe paqe.
“Në këtë drejtim kemi nevojë urgjente që KFOR-i dhe EULEX-i të vendosen në veri për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë të situatës dhe për të parandaluar abuzimet politike të kësaj ngjarje tragjike”, tha Lista Serbe.
Ky reagim i Listës Serbe vjen pasi ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe drejtuesi i Policisë, Gazmend Hoxha, akuzuan nënkryetari e kësaj partie, Millan Radoiçiq, për organizim dhe pjesëmarrje në sulm.
(REL)