Lista Serbe: Ministri Sveçla drejton akuza të pabaza ndaj Radoiçiqit

Prishtinë, 18 korrik 2022 – Lista Serbe, partia udhëheqëse e serbëve të Kosovës, e akuzoi ministrin e Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiq, po përpiqet ta lidhë me veprime ilegale, siç tha ajo, “pa asnjë provë dhe pa asnjë përgjegjësi”.

Sipas Listës Serbe, ministri Sveçla po e bën këtë më qëllim që, siç tha, “të trembë pjesën tjetër të popullatës serbe në Kosovë”.

Lista Serbe tha se ministri Sveçla po përpiqet “të përdorë akuza joserioze, të pabaza, për të justifikuar dhunën e papranueshme institucionale, shpërdorimin e pushtetit dhe shtypjen e popullit serb”.

Ajo akuzoi autoritetet në Prishtinë se në pjesën veriore të Kosovës po dërgon, siç shprehet,” hordhi të veshura me uniforma”, me pretekst të luftës së kontrabandës.

 Lista Serbe u bëri thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që “të mbajnë qëndrim të qartë kundër abuzimeve të tilla të autoritetit” nga qeveritarët e Kosovës.

Reagimi i Listës Serbe erdhi pas një interviste  të Sveçlës për Radion Evropa e Lirë, ku ai tha se Radoiçiqi “është ndër krerët e strukturave kriminale, përfshirë ato të kontrabandës, të cilat e sulmojnë Policinë e Kosovës” në veri të vendit.

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës sivjet janë sulmuar disa herë në pjesën veriore të Kosovës, në zonën kufitare me Serbinë, gjatë përpjekjeve për të parandaluar kontrabandën dhe aktivitetet tjera kriminale në këtë zonë.

Sveçla tha se grupet kriminale e gëzojnë përkrahjen e institucioneve shtetërore të Serbisë.

“Lidershpi i Serbisë në vazhdimësi i ka shfrytëzuar grupet kriminale për të minuar Kosovën në atë pjesë dhe, si shpërblim, u ka dhënë edhe mundësi për t’u pasuruar dhe imunitet pa kufi këtyre individëve. Millan Radoiçiq është njëri ndër krerët e kësaj strukture”, ka thënë Sveçla.

Millan Radoiçiq është në kërkim të organeve të drejtësisë në Kosovë lidhur me rastin “Brezovica”. Ai është parë në aktivitete politike publike në Serbi, ku gëzon përkrahje të madhe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, personalisht e kamarrë nën mbrojtje Radojçiqin, duke akuzuar organet e ndjekjes dhe organet e drejtësisë në Kosovë se, siç ka thënë, nëpërmjet Radojçiqit po ushtrojnë presion ndaj serbëve në Kosovë.

Milaj Radoiçiq është edhe në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, nën dyshimet se së bashku me biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, dhe dhjetëra serbë të tjerë, i përkasin një rrjeti të lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Ndaj Radoiçiqit ka pasur edhe më parë një fletarrestim, nën dyshimet se ka qenë i përfshirë në vrasjen e politikanit serb nga veriu i Kosovës, Oliver Ivanoviq. Por, ai urdhërarrest është tërhequr pa shpjegim, në mars të vitit 2021.

(REL)