Lista Serbe paraqet dy kushte për tërheqjen e protestuesve të grumbulluar para komunave

Prishtinë, 29 maj 2023 – Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha përfaqësuesve të KFOR-it dhe ambasadorëve të huaj në Prishtinë ua ka përcjellë dy kushte për shpërndarjen e protestuesve serbë të tubuar para ndërtesave të katër komunave në veri të Kosovës.

“Kërkesat tona janë që sherifët, siç e quajnë veten, të paligjshëm, të shkojnë në shtëpitë e tyre dhe t’i udhëheqin të afërmit e tyre dhe që të gjitha njësitë speciale në ndërtesën e komunës e përreth komunës, të tërhiqen në jug, sepse ky nuk është stacion policie, është bashki e qytetit”, tha Rakiq, duke folur nga Zveçani.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se protestuesit do të qëndrojnë deri në plotësimin e kërkesave të paraqitura.

“Ne nuk do të largohemi derisa ata të tërhiqen. Presim që KFOR-i të qëndrojë neutral ndaj statusit, të mos ofrojë mbrojtje për njësitë e paligjshme parapolicore, të ruajë paqen sepse ne jemi të interesuar për paqe. Qytetarët erdhën këtu për të mbrojtur paqen dhe familjet e tyre”, tha ai.

Të hënën  në mëgnjes para ndërtesave komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut u grumbulluan turma të serbëve që kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të këtyre komunave.

Rreth ndërtesave të këtyre komunave janë shtuar forcat e Policisë së Kosovës, por edhe trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Hapësirat para ndërtesave komunale janë rrethuar me mbrojtëse  metalike e tela gjemborë.

Një moment, protestuesit e grumbulluara para ndërtesës së komunës së Zveçanit kanë mësyrë të hyjnë brenda  në ndërtesë dhe policia ka përdorur sprej lotësjellës, për t’i zmbrapsur.

Tensionet në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe u ngritën pas vendosjes së kryetarëve të rinj të komunave në zyrat e tyre në ndërtesat komunale. Serbët i bojkotuan zgjedhjet, prandaj kryetarë u zgjodhën kandidatët e subjekteve politike shqiptare. Drejtuesit e Listës Serbe dhe eksponentë të tjerë të politikës së Serbisë nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve dhe nuk duan që komunat me shumicë serbe të udhëhiqen nga shqiptarët.

(r.m.)