Lista Serbe: Prej 1 qershorit do t’i mbrojmë me të gjitha mjetet vatrat tona

Prishtinë, 19 maj 2023 – Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, paralajmëroi “rezistencë” ndaj përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës që të shtrijë pushtetin në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Paralajmërimi erdhi pak pasi kryetari i ri i Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, e dha betimin dhe e mori detyrën, akt ky që nga Lista Serbe dhe nga Beogradi zyrtar cilësohet si “okupim” i pjesës veriore të Kosovës.

“Me këtë ngjarje filloi zyrtarisht okupimi i Kosovës. Por, kjo ka një fillim dhe një fund. Do të përfundojë kur serbët të vendosin për këtë”, deklaroi nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, në një konferencë për media në Mitrovicën Veriore.

Ai tha se Qeveria e Kosovës ka afat deri më 1 qershor “të ndalojë represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve” në veri.

“Represioni që po ushtrohet nga regjimi i Albin Kurtit është diçka që nuk mund ta durojmë. Deri më 1 qershor u kemi dhënë afat Albin Kurtit dhe Prishtinës, si edhe përfaqësuesve të QUINT-it dhe bashkësisë ndërkombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se nëse kjo vazhdon, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”, tha Simiq duke mos cekur se cilat janë këto mjete.

“Në qoftë se vazhdojnë aksionet e tilla e të ngjashme, më 1 qershor do të pasojë përgjigja e fuqishme e popullit serb. Do ta mbrojmë me të gjitha mjetet të drejtën që serbët të qëndrojnë dhe të jetojnë në vatrat e tyre”, theksoi Simiq.

Sipas tij, është Lista Serbe ajo që me “përpjekje mbinjerëzore“ ka arritur të ruajë qetësinë dhe t’i ndalojë njerëzit që të mos reagojnë ndaj betimit të kryetarit të ri të komunës së Mitrovicës Veriore.

Reagimi i Listës Serbe erdhi pasi Erden Atiq e dha betimin dhe e mori detyrën në një seancë solemne të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.

Atiq u zgjodh kryetar i komunës së Mitrovicës Veriore në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në katër komunat veriore të Kosovës, të mbajtura më 23 prill, të cilat u bojkotuan nga votuesit serbë.

Kryetarët e rinj të tri komunave tjera veriore (Leposaviqit, Zveçanitdhe Zubin Potokut) do ta japin betimin më vonë. Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në komunën e Zveçanit, Ilir Peci, nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në komunën e Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.

Sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale në Kosovë, kryetarët duhet ta bëjnë betimin para Kuvendit Komunal për të marrë detyrën 30 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve. Përndryshe kryetarët e zgjedhur e humbin mandatin.

Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se për komunat ku nuk janë konstituuar kuvendet komunale ka edhe disa afate ligjore dhe rrjedhja e afatit ligjor prej 30 ditësh për betimin e kryetarit rrjedh pas konstuimit të kuvendeve komunale.

(r.m.)