Lista Serbe: Rezoluta për Srebrenicën, sulm ndaj popullit serb

Prishtinë, 7 korrik 2021 – Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Serbe, bºri të ditur se deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës e kanë lëshuar sallën gjatë votimit të rezolutës për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë, pasi kanë kundërshtuar që t’iu japin “legjitimitet qëllimeve të institucioneve të Kosovës për t’ia ngjitur popullit serb etiketën e gjenocidit”

Sipas kësaj partie “rezoluta e propozuar nga deputetët boshnjakë dhe e mbështetur nga të gjithë deputetët shqiptarë, njëanshëm dhe pa asnjë bazë sulmon popullin serb, shtetin serb dhe kërcënon marrëdhëniet ndëretnike”.

“Ajo (rezoluta) nuk përmend me asnjë fjalë krimet ndaj serbëve në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci ose Kosovë “, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.

Në muajin korrik të vitit 1995, njësitë e Ushtrisë së Republikës Serbe në Bosnje, të udhëhequra nga gjenerali serb, Ratko Mlladiq, kryen njërwn nga masakrat më të mëdha pas Luftës së Dytë Botërore duke vrarë mbi 8 mijë djem e burra myslimanë boshnjakë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës të mërkurën e miratuan rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka gjetur se vrasjet e civilëve boshnjakë në Srebrenicë ishin gjenocid.

(r.m.)