Lista Serbe: Targat KM mbeten në përdorim

Prishtinë, 24 nëntor 2022 – Lista Serbe ka mirëpritur marrëveshjen e arritur në Bruksel, dhe ka thënë se targat KM mbeten në përdorim.

“Duam t’i informojmë qytetarët se të gjithë pronarët e automjeteve me targa KM (Mitrovicë e Kosovës) do të mund të funksionojnë normalisht, dhe kur të skadojë regjistrimi i tyre ekzistues do të mund ta zgjasin vlefshmërinë e regjistrimit si më parë”, thuhet në njoftimin e tyre në Facebook

Kjo parti ka thënë se targat ekzistuese mbeten dhe do të mund të vazhdohen, por “të reja nuk të lëshohen tani për tani”.

Kosova dhe Serbia – nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian – më 23 nëntor kanë arritur marrëveshje për targat ilegale serbe.

Negociatat janë zhvilluar në Bruksel mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Pas arritjes së marrëveshjes, Petkoviq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “sonte ka pranuar gjithçka që ka refuzuar në ditët e kaluara”.

Edhe ai ka thënë se me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM.

Kryediplomati evropian, Josep Borell, tha se me këtë marrëveshje Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara mirëpritën marrëveshjen e arritur ndërmjet dy vendeve.

(REL)