Lista Serbe tha se do ta bojkotojë referendumin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore

Prishtinë, 8 prill 2024 – Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që kontrollohet nga Beogradi, ka njoftuar të dielën se nuk do të marrë pjesë në një eferendumin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, i cili do të mbahet më 21 prill.

“Qëndrimi i Listës Serbe është që të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha kryetari i Listës Serbe, Zllatan Elek, të dielën në një konferencë për media, në Mitrovicën e Veriut.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës ka vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin, listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

“Për dy muaj në të gjitha komunat numri i votuesve është rritur në mënyrë disproporcionale, për 433 për qind”, tha Elemek, por nuk dha asnjë dëshmi për pretendimet e tij për rritjen e numrit të votuesve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës vendosi që votimi të mbahet më 21 prill, pasi i verifikoi nënshkrimet e qytetarëve në peticionet për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës: Mitrovicë Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Nënshkrimet u mblodhën në mesin e muajit janar në përputhje me një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës, me qëllim që t’i hapte rrugë shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në këto komuna. Sipas udhëzimit, të miratuar në shtator të vitit të kaluar, referendumi do të jetë i suksesshëm nëse në të marrin pjesë mbi 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Referendumi për shkarkimin e kryetarëve aktualë të katër komunave veriore të Kosovës mbahet për shkak se serbët, të cilët e përbëjnë popullsinë shumicë, nuk i njohën rerultatet e zgjedhjeve të vitit 2023 në të cilat fituan kandidatët e subjekteve politike shqiptare, ndonëse subjektet politike serbe i bojkotuan ato zgjedhje.

Peticioni për mbajtjen e referendumit ishte nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, e cila kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të 2023-ës. Në tetor të vitit 2023, kjo parti tha se ishte e gatshme të merrte pjesë në zgjedhjet e reja në katër komunat veriore, pa vendosur asnjë kusht për pjesëmarrje në zgjedhje, siç kishte bërë më herët.

(r.m.)