Prishtinë, 6 dhjetor 2024 – Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, njoftoi të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Deri në njoftimin e së premtes nuk ka qenë plotësisht e qartë nëse kjo parti që mbështetet dhe kontrollohet nga Beogradit zyrtar do të merrte pjesë në zgjedhje, ndonëse kryetari i saj, Zllatan Ellek,e kishte paralajmëruar pjesëmarrjen në zgjedhje, muajin e kaluar.
Në një postim në Facebook, Lista Serbe tha se ndër arsyet e vendimit për të marrë pjesë në zgjedhje ishte edhe një incident që ndodhi të enjten në Kuvendin e Kosovës. Ata paraqiten në Kuvend një herë në gjashtë muaj, për të ruajtur mandatet dhe për të marrë pagat.
Të enjten, ata s’u lejuan të hynin në Kuvend nga deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i akuzoi për keqpërdorim të parasë publike.
“Për këtë arsye shfrytëzojmë rastin të informojmë publikun se Lista Serbe, më e fortë se kurrë, do të marrë pjesë në zgjedhje”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
“Ne do t’i fitojmë që të gjitha dhjetë mandatet e destinuara për popullin serb dhe do ta ruajmë unitetin dhe harmoninë e popullit serb në këtë zonë. Populli serb do të tregojë në zgjedhje për kë beson dhe kë dëshiron si përfaqësues të tij”, theksohet në reagim.
“Përfaqësuesit e Listës Serbe janë të vetmit që përfaqësojnë interesat e popullit serb në Kosovë dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi një halë në sy për regjimin e [kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, por edhe për përfaqësuesit ndërkombëtarë”, theksoi Lista Serbe.
Në përbërjen aktuale të Kuvendit të Kosovës, nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb, i takojnë Listës Serbe. Ata i bojoktojnë seancat parlamentare si edhe komisionet parlamentare prej nëntorit të vitit 2022.
Lista Serbe e ka cilësuar këtë bojkot si “aksion strategjik” kundër institucioneve të Kosovës.
(r.m.)