Lista Serbe u bën thirrje serbëve të mos pengojnë EULEX-i dhe KFOR-i

Prishtinë, 11 dhjetor 2022 – Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka kërkuar nga qytetarët në veri që të lejojnë lëvizjen e KFOR-it dhe EULEX-it. Ajo ka thënë se prania e pjesëtarëve të këtyre dymisioneve “është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”.

Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve për, siç thuhet, “paqe dhe vetëpërmbajtje”.

“Të mos biem në provokime. Të gjithë kemi nevojë për paqe dhe për vazhdimin e dialogut, për t’u dhënë hapësirë negociatorëve të cilët do të arrinin zgjidhjen e kësaj situate me dialog dhe jo me lëvizje të njëanshme”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Lista Serbe kërkon lirimin nga arresti të serbëve të dyshuar për sulmet e javës së fundit ndaj Policisë së Kosovës dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

“Ne dëshirojmë që bashkëqytetarët tanë të arrestuar të lirohen, sepse të gjithë e dinë se këto janë akuza të sajuara, por gjithashtu kërkojmë që të parandalohet çdo depërtim i policisë së Kosovës apo njësive tjera në veri të Kosovës dhe Metohisë”, thuhet në komunikatë.

KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit, ku, më 10 dhjetor, janë ngritur barrikada dhe janë bllokuar disa rrugë nga serbët lokal, pas arrestimit të një ish-pjesëtari të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq akuzohet për organizimin e sulmeve ndaj zyrave dhe zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe ndaj Policisë së Kosovës, sulme këto që u cilësuan si “sulme terroriste”.

(r.m.)