Prishtinë, 5 nëntor 2022 – Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka vendosur të shtunën që të largohet nga institucionet qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe nga komunat në veri të vendit.
Pas vendimit – të marrë në një takim me dyer të mbyllura në Zveçan – dorëheqje kanë dhënë edhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës, ata të gjyqësorit dhe prokurorisë në veri.
Njoftimi i Listës Serbe ka ardhur pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës, por edhe që të largohen serbët nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq pas takimit.
Vetë Rakiq ka deklaruar se ka dhënë dorëheqje nga “pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës”.
Edhe deputeti në Kuvendin e Kosovës, Igor Simiq, ka thënë se dorëzon dorëheqjen në emër të 10 deputetëve në këtë institucion.
Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani.
Rakiq ka thënë se vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen deri në momentin kur “Prishtina fillon të respektojë të drejtën publike ndërkombëtare dhe marrëveshjet e arritura në Bruksel”.
“Kjo do të thotë, konkretisht, derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe, në përputhje me marrëveshjen e parë dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të lidhura me këtë çështje në dialog”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë këtë marrëveshje, por Qeveria e Kosovës është kundër formimit të asociacionit në baza etnike.
(REL)