Vilnius, 12 maj 2022 – Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe anëtarësimit në NATO.
“Ju përgëzoj për progresin e rëndësishëm që keni arritur në rrugën për integrim europian. Lituania është e gatshme të ndajë me ju përvojën e saj dhe këtë e nënvizova në takim se jemi të gatshëm të ndajmë përvojën në implementimin e reformave. Mbështesim përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për të forcuar sigurinë në rajon”, ka thënë ai në Vilnius, në një konferencë të përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nauseda e ka vlerësuar qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë dhe solidaritetin me refugjatët ukrainas.
“Falënderoj Kosovën që ishte ndër të parat vende që dënoi luftën brutale dhe të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, për të gjitha sanksionet kundër Rusisë dhe Bjellousisë, për asistencën ndaj Ukrainës dhe që keni pritur refugjatë ukrainas. Do të qëndrojmë së bashku për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj”, është shprehur ai.
Nauseda ka theksuar se uniteti i shteteve europiane është i rëndësishëm për të ardhmen e kontinentit.
“Siguria, prosperiteti dhe stabiliteti i Europës varet prej unitetit tonë, aftësia jonë për të koordinuar veprimet tona, për të mbështetur njëri-tjetrin dhe për të mbrojtur vlerat europiane. Ne jemi më të fortë bashkë”, ka thënë ai.
Presidentja Osmani ka shprehur kënaqësinë që dy vendet qëndrojnë bashkë në psërpjekjet për një Evropë më paqësore dhe të sigurt.
“Sot Lituania e përkrahë Kosovën në aspiratat euro-atlantike dhe në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ndërkaq së bashku qëndrojmë kundër luftës gjenocidale të Rusisë në Ukrainë ”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani është pritur në Vilnius edhe nga kryeministrja Ingrida Simonyte. Ajo ka kërkuar mbështetjen e Lituanisë për anëtarësimin e Kosovë në organizata të rëndësishme botërore, por theks të veçantë ka vënë në kërkesën për ndihmë për anëtarësim në Këshillin e Europës.
“Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Lituanisë ndër vite, ndërkaq tani është kyçe mbështetja për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në aspiratat tona drejt integrimit në BE dhe në NATO”, ka shkruar Osmani, pas takimit.
Presidentja Osmani ka theksuar se forcimi i bashkëpunimit me vendet aleate mbetet prioritet kyç i politikës së jashtme të Kosovës dhe Lituanisë.
“Në një kohë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë, me kryeministren u dakorduam që ta intensifikojmë bashkëpunimin e ndërsjellë në politikën e jashtme dhe të sigurisë”, ka thënë ajo.
Tema të diskutimit kanë qenë edhe situata e sigurisë në Europë pas agresiomit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe rritja e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes, ekonomisë, teknologjisë informative e të tjera.
(r.m.)