Lleshaj: S’kam pasur asnjë rol në tenderin për uniforma të policisë

Tiranë, 11 korrik 2021 – Ish-ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj, ka folur për herë të parë për tenderin e uniformave të policisë pas operacionit të SPAK dhe arrestimet e 9 zyrtarëve.

Në një prononcim për ABCnews,Lleshaj e ka përshëndetur Prokurorinë e Posaçme për hetimet e kryera lidhur me tenderin për uniformat e policisë, me vlerë 2.8 miliardë lekë ose afër 28 milion dollarë. Ai ka thënë se qysh në shtator të vitit të kaluar kishte kërkuar publikisht të hetohej çështja e këtij tenderi.  

“Duke qenë se bëhet fjalë për një procedurë hetimi në zhvillim, mendoj se kontributi më mirë i secilit është lënia e qetë e SPAK në kryerjen e detyrës së saj. Unë kam kërkuar publikisht që në shtator të vitit të kaluar që kjo çështje të hetohet. Fakti që kjo gjë po ndodh është për t’u përshëndetur, ndërsa tentativat për të bërë politikë me këtë rast janë për t’u refuzuar” tha Sandër Lleshaj.

Lleshaj, i cili ka qenë në krye të Ministrisë së Brendshme në kohën kur është zhvilluar tenderi, ka thënë se ai nuk ka pasur asnjë ndikim dhe asnjë rol favorizues në tender.

“Si ministër i Brendshëm, nuk kam pasur as ndonjë shtysë personale dhe, mbi të gjitha, as autoritet ligjor për t’u përfshirë në asnjë procedurë konkrete prokurimi. Sistemi i prokurimit në Shqipëri ka autoritetet e veta të administrimit, të menaxhimit, të kontrollit dhe të ankimimit, ku ministri nuk ka rol”, është shprehur ai.

Ditën e shtunë, me urdhër të SPAK, u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme lidhur me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Sipas organit të akuzës, më 11 qershor të vitit 2020, në Agjencisë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.

Të shtunën, në një operacion yëkryer nga SPAK, u arrestuan 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme, nën akuzën e shkeljes së barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, gjatë hetimeve janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik  nga Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri e Kleviz Hasani, të katër anëtarë të Njësisë së Prokurimit, dhe nga Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, anëtarë të komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës. Ata i kanë dhënë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi.

Procedurat e tenderit për uniformat e Policisë së Shtetit kishin nisur tri vite më parë. Gara është anuluar dhe rihapur, për t’u përmbyllur në korrik të vitit të shkuar. Fitues i tenderit u shpall një konsorcium i udhëhequr nga kompania D&E, me administrator Ismail Kadiun.

(r.m.)