Logo e “Open Ballkan”, shkrihen në një flamujt e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Beograd, 1 shtator 2022 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka hapur të enjten në Beograd panairin e verërave “Wine Vision of the Open Balkans”.

Në cremoninë e hapjes kanë marrë pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski. I pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Panairi është hapur në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” që ka objektiv krijimin e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë panair, ka rënë në sy zbulimi i logos së re të nismës “Ballkani i Hapur” (Open Balkan), në shkronjat instore të të cilit janë shkrirë flamujt e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. 

Logoja e “Ballkanit të Hapur” është shfaqur në momentin që liderët këtyre tri shteteve janë ngjitur në podium, për të bërë foton zyrtare të panairit.

Panairi i verërave “Wine Vision of the Open Balkans” është hapur një ditë para takimit të radhës të liderëve të tri vendeve që i janë bashkuar nismës.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk i janë bashkuar nismës “Ballkani i Hapur”.

SHBA dhe BE kanë thënë se e mirëpresin “Ballkanin e Hapur”, sikurse çdo nismë që synon integrimin e vendeve të rajonit, por kanë theksuar se kjo nismë do të ishte e suksesshme në qoftë se asaj do t’i bashkoheshin të gjitha vendet e rajonit.

Por, Gjermania dhe disa vende të BE-së kanë paralajmëruar se nisma “Ballkani i Hapur” nuk mund të zëvendësojë apo të konkurrojë “Procesin e Berlinit” që ka objektiv zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal.

(r.m.)