Tel Aviv, 19 janar 2025 – “Emily është në shtëpi më në fund, pas 471 ditësh”, tha nëna e Emily Damarit, njërës prej tri pengjeve të liruara nga Hamasi, pas marrëveshjes për armëpushim me IOzraelin.
Damari hyri në Izrael këtë të diel, më 19 janar, ku pritet të ribashkohet me nënën e saj dhe t’i nënshtrohet një vlerësimi mjekësor në Re’im, në jug të Izraelit.
“Dua të falënderoj të gjithë ata që nuk pushuan kurrë së luftuari për Emily gjatë gjithë kësaj sprove të tmerrshme dhe që nuk pushuan kurrë së thëni emrin e saj. Në Izrael, Britani, Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën. Faleminderit që solle Emily-n në shtëpi”, tha Mandy, nëna e Damarit, në një deklaratë për CNN-in.
“Ndërsa makthi i Emilyt në Gaza ka mbaruar, për shumë familje të tjera pritja e pamundur vazhdon. Çdo peng i fundit duhet të lirohet dhe ndihma humanitare duhet të ofrohet për pengjet që ende presin të kthehen në shtëpi”, tha nëna e Damarit.
Emily Damari, një grua britaniko-izraelite 28-vjeçare, u lirua së bashku me Romi Gonen dhe Doron Steinbrecher.
Në një foto të publikuar pas lirimit,Emily Damari shihet duke buzëqeshur dhe duke treguar dorën e saj të fashuar.
“Emily më në fund është kthyer aty ku i takon, e sigurt në krahët e nënës së saj, ende e buzëqeshur dhe më e fortë se kurrë”, shkruan Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) krahas fotos, të postuar në llogarinë e saj X.
Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura tha se Emily i ka humbur dy gishtat e saj sepse është qëlluar me armë kur është marrë peng nga Hamasi, më 7 tetor 2023.
Një reagim emocional ka ardhur edhe nga familja e infermieres veterinare 31-vjeçare Doron Steinbrecher, e cili u lirua nga 15 muaj robëri në Gaza.
“Pas 471 ditësh të padurueshme, Dodoja jonë e dashur më në fund është kthyer në krahët tanë”, thuhet në një deklaratë të familjes së Doron Steinbrecher, të lëshuar nga selia e Forumit të Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura.
“Duam të shprehim mirënjohjen tonë të përzemërt për të gjithë ata që na mbështetën dhe na shoqëruan gjatë këtij rrugëtimi. Dodoja jonë heroike, e cila mbijetoi 471 ditë në robërinë e Hamasit, fillon sot rrugëtimin e saj rehabilitues”, thuhet në deklaratë.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë me të gjitha familjet dhe të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë derisa të gjithë të dashurit e tyre të kthehen në shtëpi”, përfundon deklarata.
Romi është marrë peng në festivalin “Nova” në shkretëtirën Negev, në jug të Iraelit. Forumi i Pengjeve dhe Familjeve të Zhdukura tha se ajo kishte shkuar në festival “për të bërë atë që donte, për të kërcyer”, diçka që ajo kishte studiuar 12 vjet, duke luajtur në shfaqje solo dhe duke u bërë një koreografe e mrekullueshme.
Më shumë se 360 pjesëmarrës të festivalit janë vrarë kur luftëtarët e Hamasit e kanë kaluar kufirin dhe kanë hyrë në territorin e Izraelit.
(r.m.)