Nga Ruben Avxhiu
Varrimi masiv, me miliona njerëz të përlotur, i gjeneralit iranian të vrarë, Solejmani, nuk sjell asnjë informacion të ri për zhvillimet nga ky rajon.
Sidomos ne shqiptarët që kemi jetuar nën diktaturë dhe kemi parë me sytë tanë rastin e vdekjes së Enver Hoxhës, dhe reagimin histerik me të qara me dënesë në publik të njerëzve të rritur, shumica e të cilëve vetëm pak vite më vonë e denonconin si diktator është e natyrshme që të na duken këto momente thjesht si një sjellje interpretative të nxitur nga frika dhe instikti njerëzor i mbijetesës në diktaturë.
Më duket normale që dikush të mos ketë respekt për Presidentin Trump apo të jetë i kritik i politikave amerikane në Lindjen e Mesme, apo edhe të vetë vrasjes së papritur të Solejmanit, e përsëri të mos bjerë në banalitetin e justifikimit të kësaj figure të urryer të një regjimi diktatorial e teokratik.
Vdekja e Solejmanit ka sjellë gëzim në Irak e në Siri, në gadishullin arabik, e në mbarë botën, po mbi të gjitha në vetë Iranin që prej dekadash vuan nën një diktaturë mizore e gjakatare që shtyp me dhunë çdo protestë sado paqësore që kërkon një jetë më të mirë për qytetarët iranianë.
Ka argumente të mira se pse SHBA nuk duhj të kishte hyrë fare në Irak, apo që duhej ta kishte trajtuar ndryshe atë vend, pas rrëzimit të Saddam Hyseinit. Ka debate se çfarë duhet bërë me Iranin dhe zellin e regjimit për të krijuar satelitë të dhunshëm në vende të tjera të rajonit, armatimit bërthamor, si dhe vrasjes së kundërshtarëve politikë në mërgim.
Ka argumente të mira se pse vrasja e Solejmanit mund të prishë më shumë se sa të ndreqë gjendjen në Irak.
Mirëpo, të gjitha këto argumente mund të shpalosen fare mirë pa qenë nevoja të zbukurohet figura e një krimineli ndërkombëtar të luftës, që është përzjerë në mënyrë të drejtpërdrejtë në masakrimin e popullit të Sirisë, në nxitjen e vëllavrasjes seksionare mes Sunitëve dhe Shiave në Irak, në nxitjen e konfliktit të armatosur në Liban, në organizimin e atentateve terroriste jashtë vendit.
Sado kriminal që të ketë qenë Solejmani, nëse konsiderohet zyrtar përfaqësues i Iranit dhe sa kohë që SHBA dhe Irani nuk janë në luftë, ligji ndërkombëtar e ka të vështirë ta justifikojë veprimin. Kjo do të mbetet një temë debati e pandalshme.
Reagimi i Iranit nga ana tjetër ka disa mundësi që të destabilizojë edhe më keq rajonin duke vënë në rrezik investimin e madh që ka bërë SHBA për sigurinë në rajon.
Administrata Trump ka argumentuar se Solejmani ishte duke organizuar sulme kundër interesave amerikane në rajon, duke treguar edhe nga sulmi i paparë ndaj Ambasadës Amerikane në Bagdad. Trump tha se sulmi ndodhi për ta ndaluar luftënme Iranin e jo për ta nisur.
Në këto diskuime që nuk përfaqësohen dot në një shkrim kaq të shkurtër, spektakli i varrimit nuk sjell ndonjë gjë të re. Populli iranian do ta përmbyste me kënaqësi diktaturën që flet në emër të Solejmanit. Janë më të besueshme lotët e disa pakicave shia në rajon që kanë parë te Solejmani një mbrojtës të jashtëm, sesa vetë qytetarët brenda në Iran.
Nuk besoj madje as lotët e vetë kryeajatollahut Khameini, i cili ndonëse e kishte Solejmanin, një nga figurat kryesore të regjimit, ka pasur shumë arsye që t’ia shihte me dyshim, fuqinë që kishte fituar, pavarësinë e tij nga pushteti fetar i regjimit, aftësinë e tij për të vendosur në mënyrë të pavarur nga udhëheqësi suprem i vendit.
Me vrasjen e Solejmanit, udhëheqësi suprem i Tehranit ka mundësi të vendosë ërësisht nën kontroll forcat speciale Kuds, të Gardës së Revolucionit, ashtu si bëri të paktën dy herë gjatë jetës së tij Enver Hoxha me Sigurimin e vendi, kur pas rënies së Koçi Xoxes dhe pastaj të Mehmet Shehut, rikonfimroi pushtetin e tij absolut në segmente të shtetit që dilnin jashtë pushtetit partiak.
Këto janë deri diku spekullime të bazuar në mënyrat sesi veprojnë diktaturat e bazuara në ideologji. Nga përvoja jonë në një diktaturë të ngjashme, nga shpërthimet publike të emocioneve për njerëz të regjimit për të cilët në të vërtetë frika më shumë se sa mërzia i ka nxjerrë momenti për të qarë në publik.
E vetmja gjë që do të thoja kundër vrasjes së Solejmanit është se disa figura mizore e gjakatare është më mirë t’i lësh gjallë që t’u dalë vetë boja e t’u zvenitet miti i rremë, sesa t’i vrasës duke ua kthyer vdekjen në një lloj arme mobilizimi. Në këtë moment përcjellje në varr, lotët dhe ngushëllimet duhej të shkonin për miliona njerëz të Lindjes së Mesme jeta e të cilëve u shkatërrua përgjithmonë për shkak të ambicjeve rajonale e botërore, të një regjimi diktatorial që nuk mbijeton dot në vendin e tij pa krijuar armiq të jashtëm e konflikte jashtë vendit. Për miliona sirianë e irakenë, libanezë e hebrenj, po edhe amerikanë e viktima të shumë kombësive të tjera, kjo vdekje e Solejmanit ka qenë një ngushëllim i vogël e vonuar. Nëse do të ndihmojë për një Iran, Irak, Lindje të Mesme, apo botë më të mirë, kjo pastaj mbetet për t’u parë.