Lufta në Ukrainë në krye të agjendës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së

Nju Jork, 20 shtator 2022 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, nis të martën punimet teksa bota përballet me kriza të shumta, duke nisur nga lufta në Ukrainë.

Pas dy vjetëve të kufizimeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, dhe adresimeve përmes videove, OKB-ja u ka kërkuar liderëve botërorë që të marrin pjesë fizikisht në organizimin në Nju Jork.

Përjashtim bën presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Vdekja e Mbretëreshës Elizabeta II e ka ndryshuar agjendën e samitit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili sipas traditës flet në ditën e parë të samitit, kësaj here do të marrë pjesë të mërkurën.

Në ditën e parë do të mbajnë fjalime presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz – liderët e dy ekonomive më të mëdha në Bashkimin Evropian.

“Këtë herë, Ukraina do të jetë shumë lart në agjendë. Do të jetë e pashmangshme”, ka thënë kryediplomati i BE-së, Josep Borrell në Nju Jork.

“Ka shumë probleme tjera, e dimë. Mirëpo lufta në Ukrainë ka dërguar valë shoku në gjithë botën”.

Megjithatë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka bërë thirrje liderëve që të mos harrojnë prioritetet tjera sikurse edukimi, një nga temat që do të diskutohen.

“Edukimi është në krizë të thellë. Në vend që të rrisë mundësitë, edukimi është duke u bërë shpejt arsye për ndasi të mëdha”, ka thënë Guterres në samit.

Ai ka paralajmëruar se pandemia e koronavirusit ka shkaktuar ndikim shkatërrues në procesit e të mësuarit, pasi nxënësit e varfër nuk kanë pasur qasje në teknologji të avancuar.

Në një raport të publikuar më herët gjatë këtij muaji, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, ka thënë se pandemia e koronavirusit ka kthyer mbrapa përparimin njerëzor për pesë vjet.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

(REL)