Nju Jork, 12 janar 2023 – Gjatë vitit që lamë pas bota është përballur me një sërë krizash mbi të drejtat e njeriut, nga Ukraina në Kinë e deri tek Afganistani, thotë organizata Human Rights Watch, në raportin e saj të fundit vjetor të publikuar të enjten.
Megjithatë, siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, autorët e raportit thonë se gjatë vitit 2022, në betejën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut janë shënuar edhe suksese.
Organizata “Human Rights Watch” thotë se pas sulmit rus kundër Ukrainës, komunitetit ndërkombëtar meriton të vlerësohet për angazhimin e asaj që autorët e raportit e quajnë “arsenal i plotë” i sistemit të të drejtave të njeriut – duke përfshirë një hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
“Kemi parë përgjgjen e menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar për t’u mobilizuar në mbështetje të të drejtave të njeriut, duke përfshirë krjimin e mekanizmave ndërkombëtarë të drejtësisë dhe mbledhjen e dëshmive për krime lufte”, thotë Tirana Hassan, ushtruese e detyrës së drejtores ekzekutive në organizatën “Human Rights Watch”.
Në qytete si Bucha dhe Izium, ka dëshmi se ushtarët pushtues rusë torturuan, përdhunuan dhe ekzekutuan civilë.
Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar qindra vrasje të civilëve – që mendohet se janë një pjesë e vogël e numrit të përgjithshëm të viktimave.
“Në disa raste, ushtarët rusë ekzekutuan civilët në qendra të improvizuara paraburgimi. Të tjerët u ekzekutuan në vend pas kontrolleve të sigurisë – në shtëpitë dhe oborret e tyre”, thotë Volker Turk, komisioner i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut.
Raporti vjetor i organizatës “Human Rights Watch” thekson gjithashtu abuzimet e vazhdueshme në Kinë – duke përfshirë burgosjet masive, torturat dhe punën e detyruar të rreth një milion myslimanëve në rajonin Xinjiang.
Pekini i mohon akuzat. Raporti thotë se angazhimi i shtuar i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e veprimeve të Pekinit, është inkurajues.
“Për herë të parë pas një kohe shumë të gjatë kemi parë çarje në mburojën autoritare”, thotë zonja Hassan.
Në Iran, protestat e shkaktuara pas vdekjes së Mahsa Aminit pasi ajo u ndalua nga policia e moralit, u shndërruan në demonstrata mbarëkombëtare kundër qeverisë.
“Human Rights Watch” thotë se ekzekutimi i të paktën katër protestuesve duhet të shkaktojë një reagim më të fortë global.
“Duhet të shkojmë përtej solidaritetit ndërkombëtar për protestuesit dhe duhet të sigurohemi se qeveritë në mbarë botën mbajnë përgjegjës zyrtarët iranianë”, shton ajo.
Raporti flet edhe për abuzimet në rritje të të drejtave të njeriut në Mianmar. Autorët thonë se regjimi ka filluar sulme në të gjithë vendin, ndaj komuniteteve që kundërshtojnë grushtin ushtarak të shtetit.
Në Etiopi, “Human Rights Watch” thotë se nisma e fundit për paqe e udhëhequr nga Bashkimi Afrikan solli një armëpushim të brishtë.
“Nxjerrja para përgjegjësisë e autorëve të krimevenë rajonin Tigraj, për shembull, do të jetë jetike për zbatimin e armëpushimit”, thotë zonja Hassan.
Raporti thotë se ndryshimet klimatike kanë një ndikim në rritje në të drejtat themelore në mbarë botën.
Organizata e të drejtave të njeriut thotë se qeveritë kanë një detyrim ligjor dhe moral që të rregullojnë industritë si ajo e nxjerrjes së karburanteve fosile, që bien ndesh me misionin për mbrojtjen e të drejtave themelore.
(Zëri i Amerikës)