Tre kozmonautë rusë sfidojnë Putinin – zbresin nga një fluturim provë të veshur me ngjyrat e Ukrainës
Nga Ruben Avxhiu
Tre kozmonautë rusë kanë mbërritur në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (SNH) të veshur me ngjyrat e Ukrainës, në shenjë proteste kundër pushtimit.
SNH bashkon në një projekt të përbashkët përpjekjet eSHBA-së, Rusisë, Kanadasë, Japonisë dhe shumë vendeve europiane për të eksploruar Gjithësinë me fluturime të përbashkëta.
Është një nga bashkëpunimet më të çmuara ruso-amerikane të pas-Luftës së Ftohtë. Në këto ditë madje ka pasur diskutime se çfarë do të ndodhë me këtë bashkëpunim. A do të hakmerret Moska ndaj kozmonautëve amerikanë që janë në Hapësirë etj. Për fat të mirë ka pasur deri tani përgjegjësi nga të gjitha palët në këtë bashkëpunim mbarënjerëzor.
Emrat e tre kozmonautëve rusë që sapo kryen fluturimin e radhës në Hapësirë janë: Denis Matveyev, Oleg Artemyev dhe Sergey Korsakov.
Ata iu bashkuan me protestën e tyre mijëra rusëve që refuzojnë të pranojnë luftën si zgjidhje të konfliktit me Ukrainën dhe Perëndimin. Këto protesta janë akte të mëdha guximi dhe qytetarie. Ato janë të ndëshkueshme me 15 vite burg sipas ligjit të ri për informacionet mbi luftën në Rusi, një ligj i ngjashëm me ato të agjitacion dhe propagandës që kanë ekzistuar edhe në Shqipëri gjatë komunizmit.
Tre kozmonautët rusë u nisën nga një qendër e fluturimit hapësinor në Rusi dhe mbërritën në qendrën tjetër që ndodhet në Kazakistan. Udhëtimi provë zgjati tri orë.
Ata u pritën dhe përqafuan ngrohtësisht nga kolegët e tyre rusë, amerikanë dhe gjermanë, që punojnë në qendrën SNH-së në Kazakistan.
Përpara nisjes tre kozmonautët ishin veshur me uniformat blu që zakonisht përdoren nga Rusia. Mirëpo, kur dolën nga “anija kozmike” ishin ndërruar në uniforma fluturimi ku spikaste e verdha e shndërritshme me thyerje blu. Mesazhi i solidaritetit me Ukrainën fqinje ishte i qartë.
Çasti i daljes u transmetua drejtpërdrejt nga NASA (agjensia amerikane e Hapësirës) dhe nga Roskozmos (agjensia përkatëse ruse). Nuk dihet se sa rusë e ndoqën këtë transmetim, por kozmonautët janë figura popullore në Rusi, një vend që trashëgon nga Bashkimi Sovietik teknologjinë e udhëtimeve kozmike dhe krenarinë e arritjeve në zbulimin e Hapësirës.
Kjo ishte një provë, përpara se të tre kozmonautët të nisen në një udhëtim gjashtëmujor nëpër Hapësirë, përtej Tokës, në kuadrin e një misioni shkencor të SNH-së, që ka kohë që ka filluar. Tre kolegë të tyre ndodhen aktualisht në Hapësirë dhe presin të zëvendësohen në 30 mars.