Kiev, 17 maj 2022 – Ushtria ukrainase ka thënë të martën se është duke punuar për të evakuuar të gjitha trupat ushtarake që kanë mbetur në fabrikën e çelikut “Azovstal” në Mariupol. Më shumë se 260 trupa janë larguar nga fabrika në orët e vona të së hënës.
“Garnizoni i Mariupolit e ka përmbushur misionin e tij luftarak”, ka thënë Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase përmes një deklarate.
“Komanda ushtarake supreme ka urdhëruar komandantët e njësiteve të stacionuara në Azovstal që të ruajnë jetët e personelit. Mbrojtësit e Mariupolit janë heronjtë e kohës sonë”, thuhetj në deklaratë.
Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Anna Malyar, ka thënë se 53 luftëtarë të plagosur janë dërguar në spital në qytezën Novoazovsk, të kontrolluar nga rusët, ndërsa 211 të tjerët janë dërguar në qytezën Olenivka, zonë e kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia.
Ajo ka thënë se të gjithë të evakuuarit janë subjekt i këmbimeve potenciale të të burgosurve me Rusinë.
Ushtria ukrainase ka thënë se janë duke u bërë përpjekje për të evakuuar edhe pjesën tjetër që ka mbetur brenda.
“Shpresojmë se do të arrijmë të ruajmë jetët e djemve tanë”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy në orët e para të së martës.
“Disa janë shumë të plagosur. Ata janë duke marrë trajtim shëndetësor. Ukrainës i duhen heronjtë e gjallë”.
Evakuimi i luftëtarëve ukrainas nga fabrika e çelikut nëMariupol mund të shënojë fundin e betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës në Ukrainë. Kjo do të thotë se Rusia do ta marrë në kontroll të plotë këtë qytet port të Ukrainës që rezistoi bombardimet dhe sulmet e pareshtura nga forcat ruse.
Ndonëse pjesa tjetër e Mariupolit veçse ka qenë nën kontrollin rus, qindra ukrainas dhe civilë kanë qenë të bllokuar Brenda hapësirave të fabrikës së çelikut. Civilët që kanë qenë në ato hapësira janë evakuuar ditëve të fundit.
Qyteti i Mariupolit është shkatërruar pas pushtimit rus dhe Ukraina ka thënë se dhjetëra mijëra njerëz janë vrarë në të.
(r.m.)