Kiev, 12 mars 2022 – Luftimet e ashpra po zhvillohen të shtunën në veriperëndim të Kievit, kryeqytetit të Ukrainës, si edhe në disa qytete të tjera, ndërsa trupat ruse janë grumbulluar 25 kilometra larg kryeqytetit.
Gjatë natës janë dëgjuar sirena që njoftonin banorët për sulme ajrore.
Ministria ruse e Mbrojtjes thotë se e ka shkatërruar një bazë ajrore ukrainase pranë qytetit të Vasilkivit. Një depo municioni aty pranë u tha gjithashtu se është shkatërruar.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se të shtunën forcat ruse e bombarduan një xhami në Mariupol, ku ishin strehuar 80 persona. Disa prej atyre që ndodheshin në xhami mendohet se ishin nga Turqia.
Disa korridore humanitare janë planifikuar të hapen të shtunën, për t’ua siguruar banorëve një kalim të sigurt për t’i shpëtuar dhunës në Kiev, në Sumi dhe në rajone të tjera.
Rusia e ka zgjeruar luftën e saj në Ukrainë duke vendosur në shënjestër zonat në perëndim të vendit. Forcat ruse duket se po rigrupon pranë Kievit.
Këto zhvillime vijnë ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj po rrisin sanksionet ndaj Moskës.
Një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane, i cili foli në kushte anonimiteti, duke iu referuar informacioneve të zbulimit, konfirmoi se të premten Rusia ka nisur të godasë rajonat në perëndim të Ukrainës, si aeroportet ushtarake që ndodhen në Lutsk dhe në Ivano-Frankivsk.
Që nga fillimi i sulmit, forcat ruse kanë lëshuar më shumë se 800 raketa duke goditur objektiva të ndryshëm në Ukrainë.
(Zëri i Amerikës)