Lührmann e përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë

Berlin, 10 prill 20225 – Anna Lührmann (Të Gjelbrit), ministre shteti për Europën në Ministrinë e Jashtme gjermane, gjatë një vizite zyrtare në njësinë autonome serbe të Bosnjë-Hercegovinës, Republika Srpska, në fillim të prillit, u përball me kërcënime serioze nga përfaqësues të presidentit nacionalist Milorad Dodik.

Fillimisht asaj iu ndalua në mënyrë joformale e drejta për të hyrë sërish në territorin e Republika Srpskës, pastaj u kërcënua se nuk mund t’i garantohej siguria dhe në fund, autoritetet e kërcënuan me përdorim force nëse ajo nuk do të largohej menjëherë.

“Na u tha se duhet të largoheshim menjëherë, përndryshe do të përdorej dhuna,” tha Lührmann në një intervistë zhvilluar për Deutsche Welle-n nga korrespondentja, Tina Gerhäusser.

Vizita ishte pjesë e një turneu diplomatik për të mbështetur perspektivën e anëtarësimit të Bosnjë-Hercegovinës në Bashkimin Evropian.

Sinjal për Brukselin dhe Berlinin

Lührmann e cilësoi incidentin si një sulm ndaj vlerave evropiane.

“Të trajtosh në këtë mënyrë një përfaqësuese të një vendi partner si Gjermania është shenjë dobësie,” tha ajo.

Ajo shtoi se kishte marrë shumë mesazhe solidariteti, përfshirë nga qytetarë të Banja Lukës, që e kishin distancuar veten nga veprimet e Dodikut.

“Kjo nuk është Bosnja e vërtetë,” i kishin shkruar disa.

Dodik i izoluar – dhe provokues

Lührmann tha se Dodik po e bllokon reformën dhe po e çon vendin drejt izolimit. Kundër tij ekziston një urdhër arresti nga autoritetet e Bosnjës, për shkak të refuzimit për të dalë në seanca dëgjimore mbi veprimet e tij për ndarjen e territorit dhe për ndryshimin e kushtetutës.

“Presim që autoritetet vendore të veprojnë. EUFOR nuk është përgjegjëse për këtë sipas mandatit të tij”, tha ministrja.

Asnjë mundësi për bashkim me Serbinë

Lührmann e përjashtoi kategorikisht mundësinë që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë.

“Do të ishte në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit, me Kushtetutën dhe me vullnetin e shumicës së qytetarëve. As në parlamentin e tij ai nuk e ka shumicën për këto plane”, tha ajo.

Gjermania e mbështet rrugën e Bosnjës e Hercegovinës drejt BE-së

Ministrja nënvizoi se Gjermania është përkrahëse e fuqishme e Bosnjë-Hercegovinës.

“E kemi ndihmuar vendin të marrë statusin kandidat për BE. Kemi përgatitur një paketë të madhe financiare në kuadër të planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor. Por, bllokimet nga Dodiku e pengojnë vendin të ecë përpara”, tha ajo.

Kthimi në Banja Llukë? Po!

E pyetur se a do të shkonte sërish në Republika Srpska, pasi nga Dodik është shpallur persona non grata, Lührmann u përgjigj:

“Po, sepse ky vendim nuk i takon Dodikut. Ai nuk ka të drejtë të përcaktojë kush hyn në Bosnje e Hercegovinë. Unë dua të kthehem, t’i takoj njerëzit, të dëgjoj dhe të tregoj se Gjermania është në krah të tyre”, tha ajo.

(DW)

Comment

*