Nga Keze Kozeta Zylo
Shqipëri!
Të gjithë jetën time unë kam vuajtur bashkë me ty.
E megjithatë po të kem mundësi të shpëtoja a të
kthehesha në dragua,
E deklaroj solemnisht se unë qysh tani,
Do të hyja i gjallë në gurin e themeleve të pavdekshme të tua.
Në Qëndrën “Nënë Tereza” në Kishën Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Hartsdale të Nju Jorkut u promovuan librat e poetit penëndritur Luigj Çekaj, pas vdekjes. Kjo veprimtari u organizua nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë me president shkrimtarin Adnan Memeti dhe kryetar z.Mhill Velaj.
Gjithmonë kur ndodhem pranë kësaj qendre të thjeshtë si vetë emrin që mban të shenjtores shqiptare Nënë Tereza përjetoj emocione dhe kënaqësi të papërshkrueshme, ngase aty vlerësohen njerëz të penës, të artit, atdhetarë të elitës së Kombit si pak vjet më parë me At Gjergj Fishtën ku kishja nderin të ishja moderatore e atij aktiviteti shumë të rëndësishëm.
Ja kështu ndodhi dhe me të dielën e dytë të Janarit 2022 ku shkrimtarët së bashku me familjen e nderuar të poetit, bashkëshorten e tij fisnike Violeta Çekaj, vajzat e bukura dhe të mençura Enkolana, Justina qe siç i quan ai janë dy trëndafila drite në ballkon, çdo natë, si dhe djali i tij Terensi organizuan përkujtimoren në nderim të poetit Çekaj pas vdekjes.
Aktivitetin e moderoi z.Mhill Velaj i cili e hapi duke ftuar pjesëmarrësit të mbanin një minutë heshtje në përkujtim të poetit Çekaj. Në panelin e aktivitetit z.Velaj ftoi shkrimtarë, kritikë dhe gazetarë të zinin vendet si: Adnan Mehmeti, Fran Shkreli, Dalip Greca, Kozeta Zylo dhe Pal Ndrecaj.
Shpesh më dukej sikur ishja nën urën e dhimbjeve të emigrantëve që lëkundet në Oqean midis Shqipërisë dhe Amerikës. Sidoqoftë vetëtima zhuritëse e mohimit nën diktaturë nuk mundi dot t’ju zhveshë poeteve fisnikërinë edhe pse mbi shpinë të tyre rëndon pesha e vuajtjeve dhe e mundimeve si guri i Sifizit.
Të ftuar nga shoqata dhe familja e tij si dhe e nderuar të mbaja kumtesë, ne kishim pasur fatin ta kishim mik të dy me Qemalin dhe t’i lexojmë me endje poezitë e tij ne botën e lirë, por mjerisht jo në kohën e akullt, kur dritën e mbyllnin nën gur morti…
Cuditërisht sa herë shikoja portretin e Nënë Terezës në atë sallë aq të ngrohtë dhe modeste, përpara më dilte nënëmira e poetit. Pena e tij pikon mall dhe dashuri për vendin e tij, nënën e shtrenjtë që i puth ballin fisnik kur takohet me të dhe ja si shkruan: “Kur ti erdhe nga Shqipëria/ Besoja se as vdekjet nuk do të mund të na ndanin më/ si as distancat/ Ndërsa pranë teje kam celuloren me dyqind fotografi/ Një dosje dhimbjesh në ermrin tim/ Që më kujton prangat/ si dhe tre a katër stilokalema”…
Është dashuri hyjnore e birit për nënën që qan dhe e puth, dhe dy pikëlzat e lotit të tij varen si rruaza argjendi në qafën e bukur dhe të rrudhosur të nënës halleshumë.
Me të drejtë shkrimtari Memeti tha se: ai la një pasuri të madhe për shoqatën, letërsinë dhe Kombin. Ai kishte një shqipe të kulluar dhe tejet artistike, duhet kujtuar se z.Luigj Çekaj ka qenë që në themelimin e shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro amerikanë si dhe sekretar i shoqatës do të pohonte shkrimtari Velaj. Shkrimtari dhe kritiku Pal Ndrecaj do të thoshte në diskutimin e tij se poezia e Luigj Çekaj është një poezi moderne.
Dom Pjetër Popaj famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” e bekoi këtë veprimtari letrare dhe tha për poetin Çekaj se ai ishte një besimtar i devotshëm dhe plot kulturë, e donte artin dhe poezinë, ndërkohe ka punuar për revistën Kuvendi si organ i Kishës Katolike shqiptare.
Z. Pashko Camaj n/kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra” në emër të saj dhe kryetarit z.Elmi Berisha i dorëzoi bashkëshortes së tij znj.Violeta dhe familjarëve cmimin e mirënjohjes për një bashkëpunim të ngushtë me Diellin dhe Vatrën me rastin e 110 vjetorit të themelimit të saj. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe arteve në New York Prof.Skënder Kodra i ka propozuar Bashkisë së Shkodrës për ta bërë qytetar nderi.
Z.Fran Shkreli ish drejtori i Zërit të Amerikës e vlerësoi lart poetin Luigj Çekaj dhe tha se ndër vite ka qenë redaktor i revistës “Jeta Katolike Shqiptare”. Poeti Cekaj është me origjinë nga Shkreli i Malësisë së Madhe të mbi-Shkodrës nga fshati Bzhetë, nga rrjedh edhe familja ime. “Në Shkrel, te shtëpia e prindërve të mi”, është një ndër poezitë e Luigjit, dedikuar vendlindjes si në vargjet: Atje ku/ Te muri, në vend të lahutës/ bimë vjerrëse varen/ Atje ku piqej buka, tani zogu ndjen uri.
Kur Luigji ka qenë në moshën 3 vjeçare, në vitin 1953, babai i tij Kolë Çekaj, për t’i shpëtuar dënimit të sigurt me vdekje nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, ishte arratisur në Jugosllavi, dhe qëndroi për një kohë, edhe në shtëpinë e familjes time në fshatin Amull. Kur i ati i Luigjit, vendoset në Amerikë, Luigjin e vogël, në moshën 2-3 vjeçare e njollosin me damkën e armikut.
Z.Dalip Greca ish editori i gazetes “Dielli” në fjalën e tij midis të tjerash tha se kam qenë i privilegjuar që për 23 vite të takohesha të shtunave dhe të diskutonim për letërsinë, artin, historinë. Sot shikoj fëmijët e tij të rritur dhe bashkëshorten e tij Violetën që na priste me bujari dhe fisnikëri në shtëpinë e tyre. Ai pohoi se vetëm me dy vëllime poetike të poetit do të ishin të denja për cdo antologji, por poeti Çekaj vazhdoi më tej duke na dhuruar vepra të tjera shumë të arrira. Z.Greca tha se ishte një mjeshtër i përpunimit të fjalës së bukur artistike.
DjaliiI tij Terensi lexoi poezinë “Amaneti i gjyshes sime”, ndërsja e bija e tij Enkolana lexoi poezinë kushtuar bashkëshortetes së tij Violetës.
Në emër të familjes përshëndeti vëllai i Luigjit John Çekaj i cili falënderoi të gjithë të pranishmit që nderonin veprën e vëllait të tij dhe tha se ndihej krenar për një vella poet, atdhetar dhe njeri si Luigj Çekaj.
Shumë emocionante ishte dhe punimi artistik, portreti në pikturë i poetit Luigj Çekaj realizuar mjeshtërisht nga artisti Astrit Tota. Ai përmes emocioneve tha se e kam sjellë ashtu sic ishte të gjallë në Bronx, duke ecur, menduar dhe krijuar.
Në pamundësi për të ardhur përshëndetje erdhen nga Dr.Gjeke Marinaj shkrimtar i kalibrit botëror, Mark Shkreli kryredaktor i reveistës Kuvendi, Niko Spathari shkrimtar dhe studjues i mirënjohur, shkrimtarja Dr. Yllka Filipi si dhe studiuesja e letërsisë, Dr. Arjeta Ferlushkaj.
Për të pranishmit familja shtroi një kokteil në perkujtim të të dashurit të tyre të paharruar Luigj Cekaj.
Aktiviteti u filmua nga TV “Alba Life” me themelues dhe producent Qemal Zylo si dhe nga TV “Kultura Shqiptare” me themelues dhe producent z.Adem Belliu.
Ne atë të diel te ndritshme Poeti Çekaj dukej gati një shenjt, ecte dhe vetëm ecte duke predikuar fjalën më hyjnore në botë, fjalën shqipe. Dhe fjala e tij e bukur do të jetojë përjetësisht në veprat që na la.
9 Janar, 2022
Bronx, New York