Luke Coffey: Presioni amerikan ndaj Kosovës është joproporcional

Uashington, 8 qershor 2023 – Që prej ngjarjeve të javës së kaluar në pjesën veriore të Kosovës, Uashingtoni ka qenë shumë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës dhe ndaj kryeministrit Albin Kurti. I dërguari i posaçëm amerikan, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së fundit në Prishtinë dhe në Beograd, paralajmëroi se Kosova do të ketë pasoja për shkak se Kurti po refuzon propozimet e SHBA-së dhe BE-së për shtendosjen e situatës në veri.

Për analistin konservator Luke Coffey, nga Instituti Hudson, presioni i administratës së Presidentit Joe Biden ndaj Kosovës është i pabalancuar.

“Mendoj se mënyra se si zoti Escobar i është qasur kësaj çështjeje ka qenë pothuajse e papërgjegjshme, të paktën jo shumë e sofistikuar në aspektin e diplomacisë amerikane. E kuptoj dëshirën për të ushtruar presion ndaj të dyja palëve nga qeveria amerikane, por duket se kohët e fundit presioni ka qenë në mënyrë joproporcionale kundër Kosovës, të paktën publikisht. Dhe mendoj se kjo është e pashëndetshme”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Zoti Coffey tha se nës është e vërtetë se Shtetet e Bashkuara u zunë në befasi nga veprimet e qeverisë së zotit Kurti në veri, ky është dështim i diplomacisë amerikane.

“Do të ishte kulmi i paaftësisë nëse ambasada amerikane nuk e dinte se qeveria e Kosovës do të përpiqej të dërgonte kryetarët në ndërtesat e komunave”, tha ai.

Zoti Coffey theksoi se është e pamohueshme që pakicat etnike në Kosovë duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe të kenë përfaqësim të përshtatshëm. Por, e quajti legjitim shqetësimin e palës kosovare se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të bëhet një Republika Sërpska.

“Mendoj se shqetësimi për një tjetër Republika Sërpska është shumë legjitim dhe i vlefshëm. Megjithatë, besoj se diskutimet për këtë Asociacion dhe proceset që do të çojnë ndoshta në themelimin e tij duhet të bëhen para së gjithash me dyer të mbyllura, sepse kjo është një çështje e delikate”, thai a.

Zoti Coffey tha se nëse SHBA-të kanë kritika legjitime për Qeverinë e Kosovës, ato duhet të bëjnë privatisht, duke qenë se dy vendet janë aleeatë të ngushtë.

Zoti Coffey pajtohet se kryetarët shqiptarë në komunat veriore nuk kanë mandat popullor, por thekson se nuk është përgjegjësia e tyre që serbët në veri i bojkotuan zgjedhjt. Ai i konsderon të arsyeshme kërkesat e SHBA-së dhe BE-së për zgjedhje të reja, por më parë  situata  në veri duhet të qetësohet.

“Nëse Serbia tërheq trupat nga kufiri dhe nuk bën përpjekje të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës, nëse serbët etnikë që jetojnë atje angazhohen sinqerisht për të marrë pjesë në këto zgjedhje, atëherë mendoj se do të ishte e arsyeshme të rimbaheshin këto zgjedhje”, tha ai.

(r.m.)