Lulzim Basha shpallet zyrtarisht fitues i zgjedhjeve për kryetar të PD-së

Tiranë, 14 qershor 2021 – Lulzim Basha është shpallur zyrtarisht fitues i garës për kryetar të Partisë Demokratike.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, në një paraqitje para gazetarëve në selinë e partisë, ka publikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve. 

Ai ka bërë të ditur se Lulzim Basha i ka fituar 32.882 vota, Agron Shehaj 6.038 vota, Edit Harxhi 983 vota, ndërsa Fatbardh Kadilli 781 vota.

“Misioni zgjedhor i PD sapo ka përmbyllur procesverbalin e deklarimit të rezultatit përfundimtar zyrtar. Kemi administruar 76 kuti në të gjithë vendin. Në prani të komisionit janë hapur një e nga një kutitë. Nga procesverbalet, rezulton që në të gjitha rastet komisionerët kanë firmosur dhe përfaqësuesit e kandidatëve në garë që kanë pasur atje në përfaqësim”, ka thënë Gjana.

Ky është mandati i tretë i Bashës në krye të Partisë Demokratike.

(r.m.)