Lynne Tracy bisedoi me Sergei Ryabkov për gazetarin amerikan të arrestuar në Rusi

Moskë, 7 prill 2023 – Ambasadorja amerikane në Rusi, Lynne Tracy, dhe zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, janë takuar më 6 prill në Moskë, ku kanë diskutuar për gazetarin e Wall Street Journal, i cili u arrestua javën e kaluar me akuza për spiunazh, njoftoi Ministria e Jashtme e Rusisë.
Sipas njoftimit, diplomati lartë rus ka thënë se gazetari Evan Gershkovich “u kap në flagrancë teksa po përpiqej të merrte informacione sekrete, duke përdorur statusin e tij të gazetarit si mbulesë për veprime të paligjshme”.
Wall Street Journal i ka mohuar këto akuza.
Akuzat për spiunazh të ngritura nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) – agjencia ruse për siguri dhe kundërzbulim që e ka pasuar agjencinë KGB të kohës sovjetike – Shtëpia e Bardhë i ka quajtur “qesharake”.
Evan Gershkovich u arrestua në Yekaterinburg, qytetin e maleve Urale, teksa ishte duke raportuar për qëndrimin e rusëve ndaj luftës së Kremlinit kundër Ukrainës dhe ndaj grupit mercenar, Wagner.
32-vjeçari Gershkovich, i cili është shtetas i SHBA-së, mund të përballet me 20 vjet burg nëse shpallet fajtor për spiunazh.
Gershkovich raporton për Rusinë dhe Ukrainën si korrespondent në zyrën e Moskës të Wall Street Journal.
Më 4 prill, një grup gazetarësh të pavarur rusë dhe figura publike u kanë bërë thirrje autoriteteve që ta lirojnë reporterin amerikan.
Lirimin e tij e kanë kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
(REL)