Macron bisedon me Kurtin. Kërkon formimin e Asociacionit dhe zgjedhje të reja në veri

Paris, 23 prill 2024 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka zhvilluar të martën një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Pallati Elise ka bërë të ditur se Presidenti Macron ka shprehur përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës dhe ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe në Ohër.

Në komunikatë vihet theksin në kërkesën e Presidentit Macron për zbatimin e marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe kjo kërkesë vihet në lidhshmëri me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Presidenti francez ka shprehur keqardhje për dështimin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore të Kosovës, ndërsa e ka cilësuar si të domosdoshëm organizimin e zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe.

Kumtesa e plotë e Presidencës së Francës:

Presidenti i Republikës bisedoi me telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, këtë të martë, më 23 prill 2024.

Presidenti i Republikës e rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë e Kosovës dhe për integrimin evropian të saj.

Ai theksoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë e Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian, dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Brukselit-Ohrit.

Presidenti i Republikës e përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Gjithashtu, në kontekstin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ai e theksoi rëndësinë që i kushton Franca progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Republikës shprehu keqardhje për dështimin e votimit për revokimin e kryetarëve të komunave veriore të Kosovës. Ai tha se edhe më tutje është e domosdoshme të organizohen zgjedhje të reja, sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe.

(r.m.)