Macron e Scholz do të takohen të enjten me Osmanin e Vuçiqin në Moldavi

Bratisllavë, 31 maj 2023 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, njoftoi se të enjten, më 1 qershor, ai dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, do të takohen me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Macron e bëri publik këtë lajm të mërkurën, gjatë fjalimit të tij në Forumin për Sigurinë Globale GLOBSEC, në Bratislavë.

Macron e Scholz do të takohen ndarazi me me presidentët e Kosovës dhe Serbisë. Takimet do të zhvillohen në margjina të samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau.

Në fjalimin e tij në Bratislavë, Presidenti francez ka thënë se autoritetet e Kosovës “mbajnë përgjegjësi për trazirat, të cilat janë rritur ndjeshëm” në veri të Kosovës.

Qëndrimi i presidentit francez është në bashkërendim me deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve tjera të QUINT-it, të cilat e bënë Qeverinë e Kosovës fajtore për tensionimin e situatës në veri të vendit.

Në Forumin për Sigurinë Globale në Bratisllavë po merr pjesë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai u takua me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme e siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

(r.m.)