Londër, 11 nëntor 2023 – “Izraeli duhet patjetër t’i ndalë bombardimet në Rripin e Gazës dhe vrasjen e civilëve”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, në një intervistë për BBC-në të premten vonë.
Macronitha se “nuk ka arsyetim” për bombardimet dhe shtoi se armëpushimi do t’i sillte dobi Izraelit.
“De fakto – sot, civilët po bombardohen – de fakto. Këto foshnje, këto zonja, këta të moshuar po bombardohen e po vriten. Nuk ka arsye për këtë dhe as ligjshmëri. Prandaj, ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalet”, tha Macroni.
Ai e përsëriti se Franca “i dënon qartazi veprimet terroriste” të grupit palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Por, ai shtoi se, derisa Franca e njeh të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur “ne i bëjmë thirrje atyre t’i ndalin këto bombardime” në Gazë.
I pyetur nëse do të donte që liderët e tjerë – përfshirë në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani të Madhe – t’i bashkohen kërkesës së tij për armëpushim, Macron tha: “Shpresoj se do ta bëjnë”.
Izraeli është përballur me thirrje të mëdha për t’u vetëpërmbajtur në luftën tashmë njëmujore me grupin ekstremist, Hamas, por thotë se militantët e këtij grupi, të cilët e sulmuan Izraelin më 7 tetor dhe vranë e rrëmbyen njerëz, do ta shfrytëzonin armëpushimin për ta rimarrë veten.
Në një reagim ndaj Macronit, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se liderët botërorë duhet ta dënojnë Hamasin, e jo Izraelin.
“Këto krime që Hamasi po i kryen sot në Gazë do të kryhen nesër në Paris, Nju Jork dhe çdo kund në botë”, tha Netanyahu.
Intervista e Macronit për BBC-në u transmetua një ditë pasi u mbajt një konferencë humanitare për Gazën në Paris.
Macroni tha se “konkluzionet e qarta” të të gjitha qeverive dhe agjencive të pranishme në këtë konferencë janë se “nuk ka zgjidhje tjetër mos një pauze humanitare së pari, pastaj kalimi te një armëpushim, i cili do të mundësonte mbrojtjen… e të gjithë civilëve të cilët nuk kanë asgjë të bëjnë me terroristët”.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Izraelit tha se numri zyrtar i të vrarëve gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit është ulur në 1.200.
Paraprakisht, zyrtarët izraelitë kishin raportuar se 1.400 persona u vranë nga Hamasi gjatë sulmeve në jug të Izraelit, gjë që nxitën luftën në Gazë.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, mbi 11.000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e luftës.
(REL)