Paris, 24 shkurt 2022 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka kërkuar nga homologu i tij rus, Vladimir Putin, që “të ndalojë menjëherë” ofensivën në Ukrainë, tha Pallati Elize më 24 shkurt.
“Pasi ka biseduar me presidentin ukrainas dhe në koordinim me të, presidenti Macron e ka thirrur Vladimir Putinin dhe i ka kërkuar që të ndalë menjëherë operacionet ushtarake ruse, duke theksuar se Rusia rrezikon sanksione masive”, tha Elize, teksa Macron ka marrë pjesë në samitin e Bashkimit Evropian në Bruksel.
Deklaratat e lëshuara nga Zyra e Macronit ishin të kundërta me ato të lëshuara nga Kremlini, që tha vetëm se dy liderët kishin “një shkëmbim serioz dhe të sinqertë të pikëpamjeve” mbi Ukrainën.
Kremlini tha se Putini i ka dhënë Macronit një shpjegim të gjatë se pse ka urdhëruar forcat e tij të kryejnë operacion ndaj Ukrainës.
Më herët gjatë të enjtes, Macron tha se “ne do të përgjigjemi pa dobësi ndaj këtij akti të luftës”.
Ai po ashtu tha se sulmi rus në Ukrainë shënoi një “pikë kthese në historinë e Evropës dhe të shtetit tonë” që do të ketë “pasoja afatgjata në jetën tonë”.
Rusia në mëngjesin e 24 shkurtit nisi ofensivë ndaj Ukrainës, që sipas saj, ka për qëllim “çmilitarizimin” e Ukrainës.
Kjo lëvizje është dënuar nga shtetet në mbarë botën, që janë zotuar se do t’i kundërpërgjigjen me sanksione agresionit rus.
(REL)