Macron i premton Kurtit mbështetje për adresimin e prioriteteve dhe për vazhdimin e dialogut

Prishtinë, 1 prill 2021 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

, ku ndër tjerash ia ka përmendur dialogun me Serbinë. Për ta diskutuar këtë dhe disa çështje tjera, Macron e ka ftuar Kurtin për vizitë në Paris, raporton Gazeta Express.

Macron shkruan se vitet e fundit është bërë një përparim i rëndësishëm në dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe shfaq shpresën që kryeministri Kurti do ta vazhdojë dialogun.

Njëkohësisht, Macron premton mbështetjen e Francës për vazhdimin dhe përmbylljen me sukses të dialogut.

“Duke votuar për listën që ju e udhëhoqët në zgjedhjet e 14 shkurtit, shumica e votuesve që morën pjesë në zgjedhje shprehën dëshirën e tyre për ndryshim. Unë e di që ju synoni të realizoni reforma thelbësore, të cilat i kërkojnë bashkëqytetarët tuaj: forcimin e shtetit të së drejtës si dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror të Kosovës.

Këtu sigurisht që duhet shtuar edhe lufta kundër pandemisë, e cila është një përparësi e menjëhershme, në kohën kur Kosova po preket rëndë dhe kur Bashkimi Evropian po mobilizohet për të ndihmuar vendet e rajonit për të përballuar krizën shëndetësore dhe pasojat e saj“, shkruan Makron.

Ai e ka siguruar Kurtin se do ta ketë mbështetjen e Francës për adresimin e të gjitha prioriteteve të Kosovës.

“Unë dëshiroj t’ju siguroj për mbështetjen e Francës për të gjitha këto prioritete, për të mirën e Kosovarëve dhe për afrimin e vendit tuaj me Evropën. Ky është edhe synimi i strategjisë francize për Ballkanin Perëndimor, e cila po zbatohet aktualisht“, i shkruan Macron Kurtit.

Presidenti francez e inkurajon Kurtin të punojë edhe në vazhdimin dhe përmbylljen me sukses të dialogut mes Kosovës e Serbisë, të cilin e cilëson se “sfidë madhore“. Ai e siguron Kurtin se do ta ketë mbështetjen e tij të plotë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, juridikisht të detyrueshme, midis dy vendeve.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve midis Serbisë dhe Kosovës është një sfidë madhore me të cilën duhet të përballeni. Në vitet e fundit është bërë përparim i rëndësishëm në dialogun që autoritetet e Kosovës kanë zhvilluar me Beogradin, nën kujdesin e Bashkimit Evropian. Shpresoj që ju të vazhdoni këtë dialog në mënyrë që të arrini një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës sikurse edhe të Serbisë. Të jeni të sigurtë se do ta keni mbështetjen time të plotë“, shkruan Macron.

Presidenti francez shkruan se ai do ta mirëpriste Kurtin në Paris, për të diskutuar lidhur me tema që e prokupojnë Kosovën.

“Unë do të isha shumë i lumtur t’ju mirëprisja në Paris së shpejti, për të diskutuar rreth këtyre temave“, shkruan Macron në letrën dërguar kryeministrit të Kosovës, përcjellë përmes Ambasadës së Francës në Kosovë.

https://drive.google.com/file/d/1B42jboniVtn1XnWZVel6-slSm4KZMJsr/view

(r.m.)