Paris, 9 qershor 2024 – Presidenti i Francës, Emanuel Macron, vendosi ta shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në vend, pasi partia e tij pësoi humbje të rëndë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian.
“Kam vendosur t’jua kthej zgjedhjen e së ardhmes sonë parlamentare përmes votimit. Prandaj po e shpërndaj Asamblenë Kombëtare”, tha Macron, në një fjalim drejtuar kombit nga pallati presidencial Elysee.
Ai njoftoi se votimet do të zhvillohen në dy raunde, më 30 qershor dhe më 7 korrik.
Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare erdhi pas rezultateve të para të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që u mbajtën të dielën. Këto rezultate treguan për një përparësi të partisë së ekstremit të djathtë, e cila i mposhti pro evropianët e presidentit Macron.
Udhëheqësja e së djathtës së skajshme në Francë, Marine Le Pen, e mirëpriti vendimin e presidentit Macron.
“Ne jemi të gatshëm ta marrim pushtetin, nëse populli francez na e jep besimin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Jemi të gatshëm ta ngremë vendin përsëri në këmbë. Ne jemi të gatshëm t’i mbrojmë interesat e popullit francez, jemi të gatshëm t’i japim fund emigracionit masiv Ne jemi të gatshëm ta bëjmë përparësi fuqinë blerëse të popullit francez, jemi gati të fillojmë riindustrializimin e vendit”, tha zonja Le Pen, lista e së cilës fitoi më shumë se dyfishi i listës së presidentit Macron.
(r.m.)