Paris, 23 qershor 2021 – Në Paris të Francës të mërkurën në mbrëmje (23 qershor) ka filluar takimi ndërmjet presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Në një paraqitje për gazetarë, para fillimit të takimit, presidenti Macron u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen për gjetjen e një kompromisi “që do t’u bëjë të mundur Beogradit dhe Prishtinës të kthehen te e ardhmja evropiane”.
“Ky është interesi i Kosovës”, tha Macron, citon Radio Evropa e Lirë.
Ndërsa kryeministri Kurti tha se “Evropa është bashkimi më i mirë për t’i hedhur bazat e një paqeje afatgjate dhe të konceptuar drejt”.
“Tanimë realiteti ri ka përbërës të rinj. Ju siguroj se po i ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në Bruksel sidomos vizitën e presidentit amerikan (Joe Biden) dhe bisedat me udhëheqësit e shteteve evropiane, të BE-së dhe më gjerë. Ne besojmë se një situatë e re politike po krijohet, një situatë e menduar më mirë me pjesëmarrje më të artikuluara dhe drejtëpeshuara dhe një besim më të lartë”, tha Kurti
Ai tha se Kosova do të kontribuojë me të gjitha mundësitë e saj.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka qenë personalisht i përfshirë në përshpejtimin e procesit të arritjes së një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë por edhe të proceve tjera në Ballkanin Perëndimor.
Nën organizimin e tij dhe të kancelares gjermane Angela Merkel ishte mbajtur samiti i Berlinit, më 29 prill 2019.
Më 1 prill, në një letër dërguar kryeministrit Kurti, presidenti Macron kishte shfaqur shpresën që dialogu do të vazhdojë, në mënyrë që të arrihet “një marrëveshje gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme, e cila është një nga kushtet për afrimin evropian të Kosovës, sikurse edhe të Serbisë”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u takuan për herë të parë më 15 qershor, në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Kurti propozoi nënshkrimin e një marrëveshjeje të paqes, ku Kosova dhe Serbia do të zotoheshin se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën, dhe ka kërkuar njohjen e ndërsjellë. Ndërkaq, Vuçiq e ngriti çështjen e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Megjithatë, palët nuk u morën vesh për temat e ngritura.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së, të hënën, më 21 qershor, tha se Kurti dhe Vuçiq, në takimin e tyre të parë janë pajtuar vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut.
(r.m.)