Kiev, 8 shkurt 2022 – Pas takimit me Presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, Presidenti francez Emmanuel Macron ndaloi në Kiev për një takim me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në një përpjekje diplomatike për të ulur tensionet mes Kievit dhe Moskës. Presidenti francez tha se Moska dhe Kievi janë të përkushtuara për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut dhe se kjo është mënyra e vetme për të arritur përparim drejt zgjidhjes së krizës.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha pas takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy në Kiev, se udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës janë të përkushtuar për respektimin e marrëveshjeve të Minskut.
“Marrëveshjet e Minskut janë mbrojtja më e mirë e integritetit territorial të Ukrainës. Bazuar në përkushtimin e të dyja palëve, asaj ruse dhe ukrainase, kemi mundësi për përparim në negociata”, tha zoti Macron.
Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan më 2014 dhe 2015 nga udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ato synojnë dhënien fund të luftimeve të separatistëve pro-rus në rajonin lindor të Donbasit në Ukrainë.
Nga ana e tij, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelesnkiy tha se pret veprime nga homologu i tij rus, Vladimir Putin.
“Në përgjithësi, fjalëve nuk u besoj shumë. Prandaj mendoj se çdo politikan mund të dëshmojë se sa i hapur është përmes veprimeve konkrete. Në rastin tonë, duhen hapa konkret për shtensionimin e situatës. Me sa kuptoj Vladimir Putin është i hapur ndaj kësaj çështjeje dhe ka çdo mundësi në dorë”, tha zoti Zelenskyi.
Zoti Macron tha se do te duhet kohë për të parë rezultatet e bisedimeve me Moskën dhe Kievin. Por sipas tij, rëndësi ka që mundësia për përshkallëzim të situatës është shmangur.
“Në diskutimet rreth aspekteve ushtarake dhe të sigurisë, kemi diskutuar me Presidentin Putin dhe ai më tha se nuk do të qëndrojë pas veprimeve që përshkallëzojnë situatën”, tha ai.
Një deklaratë të ngjashme Presidenti francez bëri edhe nga Moska, pas një takimi 5 orësh me zotin Putin.
Sipas zyrtarëve francezë, Presidenti Putin është pajtuar për tërheqjen e trupave pjesëmarrëse në stërvitjet në Bjellorusi afër kufirit me Ukrainën, më 20 shkurt, kur edhe përfundon nisma ushatarake.
Por, Kremlini tha sot se janë të pavërteta pohimet e palës franceze se Rusia është pajtuar që të mos ketë nisma të reja ushtarake afër Ukrainës.
Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë forca përgjatë kufirit lindor të Ukrainës dhe në Bjellorusi. Perëndimi mendon se zoti Putin mund të urdhërojë në çdo moment pushtimin e kësaj republike ish-sovjetike.
Në një konferencë pas takimit me zotin Macron, presidenti rus tha se Moska do të angazhohet për arritjen e një kompromisi të përshtatshëm për të gjithë, por ai ritheksoi vendosmërinë e tij në kërkesën për mos-anëtarësimin e Ukrainës në NATO, ndërsa paralajmëroi se në rast lufte në Evropë, nuk do të ketë fitues.
“Nëse Ukraina është pjesë e NATO-s dhe përpiqet të rimarrë Krimenë, vendet evropiane do të tërhiqeshin në një luftë me Rusinë. Sigurisht, potenciali ushtarak i NATO-s është më i madh se i Rusisë. Por duhet të kuptojmë se Rusia është një nga fuqitë kryesore bërthamore. Prandaj, nuk do të ketë fitues”, tha ai.
Rusia ka mohuar të ketë plane për pushtim. Veç mos-anëtarësimit të Ukrainës dhe vendeve të tjera ish-sovjetike në NATO, Moska ka kërkuar nga ShBA dhe aleatët e tij të ndërpresin dërgimin e armëve në këto vende dhe të largojnë trupat e NATO-s nga Evropa Lindore.
Uashingtoni dhe NATO i kanë refuzuar këto kërkesa.
(Zëri i Amerikës)