Tiranë, 16 tetor 2023 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se e vendi i tij e mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Evropian (BE), pasi e nisi një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri të hënën vonë.
Ai mbërriti në Tiranë mbrëmjen e së hënës, ku ia dhuroi një dekoratë të lartë të Republikës së Francës “Oficer i Madh i Legjionit të Nderi” shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare.
Në pritjen e vecantë të organizuar në nder të tij në Pallatin e Brigadave në kryeqytetin shqiptar, Macron tha se gjendet në Shqipëri në një kohë kur Franca u prek nga “një sulm terrorist fundjavën e kaluar, ndërsa Brukseli pak më parë nga një atentat që u mori jetën dy evropianëve”.
“Evropa jonë është tronditur”, tha Macron.
Ai po i referohej vrasjës së një mësimdhënësi francez, i cili humbi jetën gjatë një sulmi me thikë të premten e kaluar në shkollën e mesme Gambetta, në qytetin verior të Francës, Arras, si dhe sulmit me të shtëna mbrëmjen e sotme në Bruksel, ku u vranë dy persona në qendër të qytetit.
Emmanuel Macron, i cili pritej të merrte pjesë në samitin e sotëm të Procesit të Berlinit me liderët e tjerë evropianë, tha se procesi i anëtarësimitë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të ecë më shpejt.
“Theksoj mbështetjen e Francës për procesin e zgjerimit, por është vështirë të bëhet një proces i tillë, kur ka shumë kapituj, procedura, burokraci. Evropa nuk do të zgjerohet duke ju pritur juve, sepse tashmë ju jeni në Evropë, pra nuk është zgjerim, por bashkim”, tha Macron.
Ai tha se mezi pret t’i takojë të martën të rinjtë shqiptarë dhe shtoi se Franca ka “një vizion mjaft entuziast” për Shqipërinë.
Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se “Franca kujdeset që ëndrra evropiane e rajonit tonë të bëhet realitet”.
“Në të gjitha kohërat për të gjithë shqiptarët dielli lind në Perëndim. Nuk gënjej duke pohuar që për shumë shekuj në sytë e Shqipërisë, Franca ishte Evropa dhe Evropa për të qenë vetja e saj nuk mund të ishte veçse një Evropë trengjyrëshe”, theksoi Rama.
Kryeministri shqiptar foli edhe për rritje të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe projekte të përbashkëta që pritet të zhvillohen.
Të martën, më 17 tetor, në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, Macroni do të pritet me ceremoni zyrtare nga presidenti Bajram Begaj dhe më pas do të ketë takim Ramën.
Kjo është hera e parë që një president francez viziton Shqipërinë.
(Jetmira Delia-Kaci, REL)