Macron: Normalizimi i marrëdhënieve kusht thelbësor për integrimin evropian të Kosovës dhe Serbisë

Paris, 9 prill 2025 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka përsrëitur se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është kusht thelbësor për të dyja vendet për integrim në Bashkimin Evropian.

Macron e ka bërë këtë deklaratë të mërkurën, në Paris, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku, ndër të tjera, është diskutuar edhe për dialogun Kosovë – Serbi. 

“Kemi diskutuar edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Franca është thellësisht e përkushtuar për këtë proces. Ky është një kusht thelbësor për integrimin evropian të tyre”, ka shkruar Macron në platformën “X’.   

Presidenti francez ka thënë se me Vuçiqin kanë diskutuar edhe për zhvillimet në Bosnjë e Hercegovinë dhe ka theksuar se Franca e mbështet integritetin e këtij shteti dhe dënon çdo veprim që synon të vë në pikëpyetje këtë.

“Kemi diskutuar për situatën në Bosnjë e Hercegovinë. E kam rikujtuar mbështetjen tone të palëkundër për unitetin e këtij shteti si edhe për dënimin e çfarëdo veprimi që ka qëllim të vë në pikëpyetje këtë unitet”, ka shkruar ai.

“Është përgjegjësi e të gjithëve që të angazhohen për respektimin e rendit kushtetues në mënyrë që edhe Bosna e Hercegovina të kthehet në rrugën e saj evropiane”, ka theksuar presidenti francez.

Presidenti Macron ka thënë se në takimin me presidentin serb e ka theksuar përkushtimin e Francës për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

 

(r.m.)

Comment

*