Paris, 8 prill 2024 – Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë është kontribut për stabilitetin e rajonit dhe të gjithë kontinentit të Evropës. Ai e ka vlerësuar pajtimin e palëve për marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe ka theksuar se të dyja palët duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.
“Secila palë duhet të kontribuojë në këtë rrugë dhe në këtë kuptim. Dua të përshëndes gjestin e bërë nga të dyja palët, por tash duhet të shkojmë edhe më tej”, ka thënë Mascron të hënën në Paris, pas takimit me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, ka theksuar Macron.
Ai ka thënë se të dyja palët duhet të bëjnë kompromise për të arritur zgjidhje për çështjet e diskutueshme, sado të vështira që të jenë ato.
“Unë jam i vetëdijshëm se sa të vështira janë këto kompromise, por edhe të mundshme, për liderët që kanë guximin dhe vizionin për t’i pranuar ato dhe për të vjelë frytet e paqes dhe kështu të kontribuojnë për stabilizimin e rajonit”, ka theksuar Macron.
Ai ka bërë thirrje për uljen e tensioneve midis Kosovës e Serbisë dhe që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit të ncirren para drejtësisë.
“Është e nevojshme që nga njëra anë që përgjegjësit për sulmin e vjeshtës së kaluar në Banjskë të dalin para gjykatave për të dhënë përgjegjësi për veprimet e tyre. Duhet të bëhet çdo gjë që të mos ndodhë më një dramë e tillë”, ka theksuar ai.
Presidenti francez ka bërë thirrje edhe për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës dhe për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e dinarit.
Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka akuzuar palën kosovare se, siç është shprehur, “nuk ka bërë asgjë” për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Ju thatë se të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, kanë bërë nga diçka, por jo të dyja. Njëra palë s’ka bërë asgjë. Ajo njëra palë ka organizuar zgjedhje me vetëm 3.4 për qind pjesëmarrje. Nuk ka hetim ndaj atyre që qëlluan fëmijët tanë, sepse kishin stoli të Krishtlindjeve. Çështja e dinarit është çështje e mbijetesës serbe në Kosovë dhe Metohi. Ka pasur një marrëveshje që Asociacioni i Komunave Serbe të përmbushet, e cila nuk ka lëvizur nga vendi, ndërsa Serbia i ka përmbushur të gjitha, nga kartat e identitetit e deri te targat”, ka thënë Vuçiq.
(r.m.)