Macron: Nuk i takon Rusisë të vendosë për paqeruajtësit në Ukrainë

Paris, 16 mars 2025 – Stacionimi i forcave paqeruajtëse në Ukrainë, siç është propozuar nga Britania dhe Franca, në rast të arritjes së ndonjë armëpushimi me Rusinë, është çështje për të cilën duhet të vendosë Kievi dhe jo Moska, ka thënë presidenti francez, Emmanuel Macron në një intervistë për disa medie franceze.

“Ukraina është sovrane. Nëse bëhet fjalë që forcat aleate të jenë në territorin e saj, për këtë nuk duhet të vendosë Rusia”, ka thënë Macron.

Presidenti francez dhe kryeministri britanik, Keir Starmer i kanë shtuar përpjekjet për të konsoliduar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, teksa presidenti amerikan, Donald Trump po punon për të arritur një marrëveshje për armëpushim 30 ditor në Ukrainë.

Macron e Starmer e janë mbështetur idenë për vendosjen e një force paqeruajtëse në Ukrainë pas arritjes së marrëveshjes për paqe.

Rusia e ka hedhur poshtë idenë që ushtarë të vendeve të NATO-s të vendosen në Ukrainë.

Macron ka thënë se çdo forcë paqeruajtëse do të përbëhet nga “mijëra trupa të secilit shtet”, të cilat do të stacionohen në lokacione të rëndësishme, dhe që ka shtete evropiane dhe përtej që janë të interesuara të marrin pjesë.

Britania dhe Franca kanë thënë se mund të dërgojnë forca paqeruajtëse në Ukrainë, derisa kryeministri australian, Anthony Albanese, ka thënë se shteti i tij është i hapur për negociata.

Shumica e vendeve të Evropës që janë anëtare të NATO-s nuk janë deklaruar ende nëse do të dërgonin ushtarë në një mission paqeruajtës në Ukrainë, me përjashtim të Hungarisë e cila është deklaruar qartësisht kundër përfshirjes së ushtarëve të saj në ndonjë mission në Ukrainë.

(r.m.)

Comment

*