Paris, 20 qershor 2022 – Presidenti francez Emmanuel Macron do të zhvillojë këtë javë bisedime me përfaqësuesit e partive kryesore politike të Francës për të gjetur një zgjidhje politike pasi koalicioni i tij nuk arriti të fitonte shumicën në zgjedhjet parlamentare.
Një zyrtar i presidencës që kërkoi të mos përmendej me emër tha se qëllimi i bisedimeve që do zhvillohen të martën dhe të mërkurën, në Pallatin ‘Elysee’, do të jetë “ndërtimi i zgjidhjeve për t’i shërbyer francezëve” në një kohë kur nuk ka “shumicë alternative” për atë të aleancës qeverisëse të Macronit.
Zyrtari tha se përfaqësuesit e partive në parlament do të priten në pallatin presidencial “Elysee” veçmas dhe njëri pas tjetrit. Ai nuk tregoi se cilat figura do të marrin pjesë, gjë që tregon se ftesat u janë bërë liderit të së majtës së fortë, Jean-Luc Melenchon, dhe lideres së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, të cilët kanë shënuar rritje në sondazhe.
“Si garant i institucioneve, presidenti i Republikës është i vendosur të veprojë në interes të francezëve”, tha zyrtari.
Macron ende nuk ka komentuar publikisht për rezultatin e zgjedhjeve.
Analistët thonë se Macron mund të konsiderojë një marrëveshje me partinë tradicionale të krahut të djathtë, Republikanët (LR). Ata konfirmuan se udhëheqësi i saj Christian Jacob e kishte pranuar ftesën për të marrë pjesë në takim. Ndërkohë, nuk ka pasur asnjë koment të menjëhershëm nga palët e tjera.
(REL)