Macron, Scholz e Meloni i shkruajnë Kurtit: Presin ta pranojë propozimin e BE-së

Prishtinë, 26 shkurt 2023 – Presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të pranuar propozimin e Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve, dhe e kanë përmendur nevojën e madhe për krijimin e kushteve drejt finalizimit dhe zbatimit të saj.

Të tre liderët i kanë bërë këto deklarata në një letër nisur kryeministrit Kurti, një ditë para takimit të tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

I dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, pret që palët të pajtohen për afatet e zbatimit të propozimit evropian.

I njohur në publik si plani franko-gjerman, propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, është thënë se shërben si rrugë drejt marrëveshjes finale mes dy vendeve.

Planin e kanë pranuar si Kosova, ashtu edhe Serbia.

“Në konkluzionet e 9 shkurtit, Këshilli Evropian e ka shprehur mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe të njëjtën kohë u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të zbatojnë, plotësisht dhe pa kushte, obligimet që kanë marrë në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për të krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, kanë thënë liderët evropianë.

Ata kanë thënë se presin që në takimin e 27 shkurtit të diskutohet për propozimin e BE-së dhe obligimet që dalin nga procesi i dialogut, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

Duke e përmendur rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve dhe arritjes së pajtueshmërisë, Macron, Scholz dhe Meloni, kanë thënë se janë të bindur që nga një përparim i tillë përfitojnë qytetarët, si dhe avancohet rruga e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

(r.m.)