“Magna” hap fabrikë në Strugë me një mijë të punësuar

Strugë / Tiranë, 14 tetor 2022 – Furnizuesi i pjesëve të automjeteve me bazë në Kanada, Magna International ka hapur një fabrikë në Maqedoninë e Veriut, sipas njoftimit zyrtar.

“Fabrika prej 17,000 metrash katrorë në Zonën Zhvillimore Industriale Teknologjike (ZTIZ) në Strugë, në pjesën jugperëndimore të vendit, aktualisht ka 300 të punësuar, me synim rritjen e numrit të punonjësve në mbi 1,000 deri në vitin 2024”, tha qeveria në një njoftim për shtyp.

“Operacioni i ri në Strugë është objekti i parë prodhues i Magna-s në Maqedoninë e Veriut dhe do të mbështesë disa prodhues evropianë të automjeteve”, tha kompania kanadeze.

Fabrika do të prodhojë sisteme të pasqyrave të jashtme, duke përfshirë aktivizues dhe lidhjet me tel, për disa prodhues automobilistikë europianë.

Nuk u bënë të ditura detajet financiare të investimit të kompanisë në Maqedoninë e Veriut. Në korrik 2021, kur qeveria e Maqedonisë së Veriut njoftoi hapjen e planifikuar të fabrikës, tha se investimi do të jetë 35 milionë euro (33.4 milionë dollarë).

Magna International është një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë të pjesëve të automobilave. Ajo ka 161,000 punonjës dhe qendra shitjesh në 28 vende, sipas të dhënave më të fundit në faqen e internetit të kompanisë.

Gara rajonale, Shqipëria rend pas ndërtimit, fqinjët pas industrisë

Pak vite më parë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin në “konkurrencë” se cili do të tërhiqte më shumë investime të huaja. Maqedonia e Veriut nisi një fushatë agresive, nëpërmjet incentivave fiskale dhe krijimit të zonave të lira, duke reklamuar dhe dalje në det, përmes Portit të Durrësit.

Shumë kompani të industrisë mbështetëse automotive, që shfaqën interes për rajonin, zgjodhën në atë kohë Maqedoninë e Veriut, edhe për shkak të procedurave më të ulëta burokratike dhe nxitësve fiskalë.

Në fund të vitit 2015, kompania amerikane “Johnson Control”, që prodhon katalizatorë makinash, njoftoi për hapjen e një fabrike të dytë, pas suksesit të asaj në Stip. “Johnson Control” shfaqi interes dhe për Shqipërinë, por deri tani investime konkrete ka pasur vetëm në Maqedoninë e Veriut.

Në vitin 2021, kjo kompani (JONSON METI DOOEL Skopje) ishte sipërmarrja më e madhe në Maqedoninë e Veriut, me 2 miliardë euro të ardhura dhe mbi 2 mijë të punësuar. Qarkullimi vjetor i saj është gati 4 herë më i lartë sesa i ndërmarrjes më të madhe në Shqipëri, që është Operatori Shtetëror i Shpërndarjes së Energjisë dhe gati 7 herë më i madh se “Kurum International”, që është sipërmarrja kryesore prodhues në vendin tonë.

Në vitin 2012, kompania shfaqi interes për t’u zgjeruar dhe në Shqipëri, por Maqedonia e Veriut arriti t’i tërhiqte dhe për ndërtimin e fabrikës së dytë.

Industria është sektori më pak i zhvilluar në Shqipëri, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Pesha e saj në vlerën e shtuar bruto ishte 14% në fund të vitit 2021, duke lënë pas Malin e Zi, me 12%. Rekordin në rajon e mban Serbia me 23%, ndërsa për Maqedoninë e Veriut, pesha është 19%.

Ky model reflektohet dhe në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha, ku në Shqipëri dominon tregtia, ndërsa në dy shtetet e tjera janë sipërmarrje të mëdha në fushën e prodhimit. P.sh., në Maqedoninë e Veriut, kompania më e madhe qarkullon 2 miliardë euro në vit, në fushën e prodhimit të katalizatorëve për automjetet.

Në kontrast, në Shqipëri, në industrinë mbështetëse automotive që po zhvillohet vitet e fundit, kompania më e madhe ka të ardhura prej më pak se 40 milionë eurosh.

(Monitor)