Tiranë, 23 maj 2022 – Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, ka kërkuar nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, shpjegime të detajuara lidhur me planin e menaxhimit të Parkut Arkeologjik të Butrintit, të miratuar dy muaj më parë nga qeveria.
Majko ka thënë se plani i menaxhimit është bërë në bazë të një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2002, ndërsa marrëveshja është bërë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave të para dy muajve.
“Tani nuk e kuptoj pse nuk është trajtuar baza legale me të cilën dhe ndërkombëtarët kanë bërë planin e mengaxhimit, edhe negociatat janë bërë mbi këtë bazë legale, dhe e keni marrë si bazë legale një VKM numër 59, ku ka vetëm një paragraf, ndryshohen kufijtë (…) Çfarë ka ndodhur? Sepse në planin e menaxhimit ju do t’i jepni Fondit Shqiptaro-amerikan që, pa diskutim, është ndër më seriozët në Shqipëri, sipërfaqja e konsideruar A3. A3 është ndërtuar mbi bazën e VKM-së së vitit 2002, duke krijuar edhe një VKM tjetër. Edhe në marrëveshje ju s’keni as A3, as B1. Asgjë. Vetëm e keni bashkangjitur një hartë me koordinata. Çfarë ka ndodhur? Do t’ju lutesha për përgjigje”, është shprehur Majko.
Ministrja e Kulturës, Elva Magariti, ka thënë se Butrinit as nuk po shitet dhe as po jepet me koncesion, por do të administrohet nga Fondacioni shqiptaro-amerikan. Ajo ka thënë se fondet që sigurohen në Parkun Arkeologjik të Butrintit do të përdoren “për miradministrimin” e parkut.
“Butrinti ka qenë dhe do jetë pronë e shtetit shqiptar. Nuk do të jepet me koncesion. Do të administrohet nga shtetit, përmes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan. Ky fondacion ka vetëm një qëllim: të mbroje dhe promovojë Butrintin. Mirëadministrim do të thotë që fondet të riinvestohen për ta mbrojtur dhe jo për të mbushur ndonjë xhep fondacioni. Edhe ministria e Kulturës nuk do të marrë asnjë shpërblim financiar, jo rrogë dhe jo shpërblim”, është shprehur ministrja Margariti.
Plani për menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit ka shkaktuar reagime jo të vogla në Tiranë, sidomos në qarkun e ekspertëve e njohësve të fushës dhe në qarkun e intelektualëve. Javën e kaluar, në Tiranë, u themelua Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit”, e cila ka objektiv ndryshimin e planit të menaxhimit të këtij monumenti me vlerë të veçantë arkeologjike.
Butrinti është në listën e monumenteve të kulturës të mbrojtura nga UNESCO.
(r.m.)