MAKE ALBANIA GREATER – TA BËJMË SHQIPËRINË MË TË MIRË…

Nga Dr. Jani Gjoni

“Ta Bejme  Shqipëri Me të Mirë! –  “Make Albania Greater”? – Ky duhet të jetë një nga mesazhet më të forta në zgjedhjet e ardhshme të Shqipërisë.                      Zgjedhjet e fundit në SHBA dëshmuan edhe një herë se vota e lirë e njerëzve të lirë ka fuqinë të përcaktojë fatin e vendit, pavarësisht presioneve dhe përpjekjeve për të ndikuar votuesit, ashtu siç ndodhi në vitin 2020.

Në analizat pas zgjedhore në SHBA, analistët shpesh përpiqen të shpjegojnë shkaqet e humbjes së të majtës dhe triumfin e presidentit Trump. Megjithatë, përpjekjet për të fshehur të vërtetën janë të dukshme.

Në vend të marrjes së përgjegjësive për situatën ekonomike dhe politike, elita politike e mediatike po perpiqet tia hedh fajin popullit që nuk “kupton” interesat e larta te elites se majte e nje pjese te djathte, nuk “kupton” rreziqet e politikave te presidentit Trump. Kjo arrogance e klasës politike që kërkoi të paraqiste Trump si një kërcënim të demokracise dhe nuk u fokusua në problemet konkrete si: çmimet e larta të jetesës, sigurinë publike, emigracionin masiv, ndasitë racore dhe pasigurinë globale të krijuar nga konflikte si ai në Ukrainë dhe përballja izraelito-palestineze, solli tronditjen e papritur, largimin e tyre nga pushteti.

Trump dhe Republikanët u fokusuan në këto çështje qe prekin ndjeshem jeten e njerezve, duke propozuar politika për zgjidhjen e tyre, dhe kështu arritën një mbështetje të madhe popullore. Mesazhi më i qartë i këtyre zgjedhjeve për politikanët është: mos luani me popullin. Ata kanë votën dhe mund t’ju largojnë nga pushteti që ju është dhënë po prej tyre.

Kjo është pamja e zgjedhjeve në Amerikë. Po si pasqyrohet kjo ngjarje në Shqipëri?

Duket qartë se të dy krahët e politikës shqiptare përpiqen të fitojnë simpatinë e presidencës Trump. PS dhe Rama besojnë se do të jenë në favor të bashkëpunimit të ri, ndërsa PD dhe aleatët e saj shpresojnë që me një presidencë Trump, Berisha të largohet nga statusi “non-grata”.

Nga njëra anë, pushteti përpiqet të ofrojë imazhin e një Shqipërie në rritje ekonomike, ndonëse për pensionistët rritja e pensioneve nga 120 dollarë njëzet vite më parë në 180 dollarë sot duket qesharake. Nga ana tjetër, opozita, duke mos gëzuar mbështetje popullore të mjaftueshme, përpiqet të nxisë protesta të papjekura që nuk japin rezultate.

Në këtë kohë, të dy forcat kryesore, me listat e mbyllura ose gjysmë të hapura dhe kontrollin e medias, janë duke kufizuar çdo mundësi për alternativa të reja. Përballja e liderëve të tyre në SPAK e tregon qartë në sytë e publikut: elita politike është e korruptuar dhe ka bllokuar progresin e vendit. Europianizimi i Shqipërisë nuk mund të kërkohet në dyert e kancelarive europiane, por duhet të realizohet përmes përmirësimit të mirëqenies së popullit, emancipimit shoqëror dhe konsolidimit të një shteti të dinjitetshëm.

Duket qartë se e vetmja gjë perëndimore që ka mbetur janë ekrani dhe spektaklet televizive, të cilat shpesh ofrojnë mesazhe dezinformuese për t’u shërbyer interesave të elitës. Telenovelat që pushtojnë ekranet, “Big Brother”, “Dancing with the Stars” dhe spektaklet e tjera janë vetëm një mjet për të shpërqendruar popullin nga problemet reale.

Shembulli amerikan është një mësim i vlefshëm për Shqipërinë. Trump sfidoi të dyja partitë politike duke i quajtur “kënetë” që pengonte progresin. Situata në Shqipëri është e ngjashme, me PS dhe PD që mbajnë peng shoqërinë.

Mund ta mashtrosh popullin një herë, mbase edhe disa herë, por jo përgjithmonë. Vjen një ditë kur populli zgjohet dhe ngrihet përballë iluzioneve të rreme që i janë imponuar gjatë një tranzicioni të tejzgjatur e të lodhshëm.

Por, a do të kemi një “Trump” shqiptar që të thërrasë me forcë : “Ta Bejme  Shqipëri Me të Mire” –  “Make Albania Greater”?

Besoj se PO.