Maldivet dhe Eswatini nuk e kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës

Prishtinë, 12 janar 2023 – Maldivet dhe Eswatini nxjerrin në shesh gënjeshtrën e presidenti i Serbisë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës.

Kjo është bërë e ditur nga përfaqësuesit diplomatikë të këtyre dy vendeve.

Konsulli i Kosovës në Nju Jork, Blerim Reka, ka njoftuar se është takuar me Ambasadoren e Maldiveve në SHBA, njëherit Përfaqësuese e Përhershme e Maldiveve në OKB, Thilmeeza Hussain.

Reka, në një postim në Twitter, ka thënë se gjatë takimit me ambasadoren e Maldiveve janë rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Maldiveve, të vendosura në vitin 2009.

“Kënaqësi të takoja ambasadoren Thilmeeza, ambasadore e Maldiveve në SHBA dhe Përfaqësuese e Përhershme e Maldiveve në OKB. Rikonfirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, Kosovë – Maldive që nga viti 2009”, ka shkruar Reka.

Ka dale blof edhe deklarata e Vuçiqit se shteti i estwatinit e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti, ka njoftuar se është takuar me zonjën Thandazile P. Mbuyisa, komisionere e lartë e shtetit të Eswatinit në Londër.

Kapiti, në llogarinë e tij në Twitter, ka bërë të ditur se me zonjë Mbuyisa kanë diskutuar për forcim të marrëdhënieve mes Eswatinit dhe Kosovës.

“Sot bëra një vizitë te Komisionerja e Lartë znj. Thandazile P. Mbuyisa në Ambasadën e Mbretërisë së Eswatinit, në Londër. Ishte kënaqësi të trajtonim ngjarjet aktuale globale dhe ne mezi presim të forcojmë marrëdhëniet tona Eswatini-Kosovë duke eksploruar mundësitë ekonomike”, ka shkruar Kapiti.

Pretendimet e Presidentit të Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës kanë dale blof edhe nga ambasadori i Guinesë Bisao në Portugali, Hélder Vaz Lopes, ambasadorja e Gabonit në Kanada, Engone Rosine Epouse Oliveira, dhe ambasadorja e Libisë në Bruksel.

Aleksandar Vuçiq, në konferencën vjetore për medie, ka thënë se nëntë shtete e kanë tërhequr njohjen e shtetit të Kosovës dhe së shpejti mund të pritet tërheqja e njohjes edhe nga një shtet tjetër.

(r.m.)