1.
Në tokën arbnore të krahinës komunare të Plavë-Gucisë shqiptarët etnikë (të vetëdeklaruar si të tillë) renditen të dytët për nga popullsia dhe janë ma të përqëndruar në Vuthaj, Martinaj, Hot i Vendit (Hoti mbi Plavë), Kukaj-Krushevë-Vishnjevë-Hakaj, në qytetet Guci e Plavë, etj. Shqiptarët etnikë rradhavijnë pas boshnjakëve (ma së shumtit shqiptarë të asimiluar) dhe dalin para serbëve dhe malazezëve, që janë komunitete kulturore-etnike të ardhun si kolonë e ma së forti të rritun numerikisht me asimilime të shqiptarëve katolik e muslimanë në kohëna të trinjakërisë krajloviçe kundërshqiptare: Nikolla I, Tito e Gjukanoviçi.
Nistue nga numri i përgjithshëm i popullsisë etnike shqiptare përcaktohet edhe përqindja shqiptare e përfaqësimit dhe e punësimit në shtetin e pavarur të Malit të Zi të pas 2006-tës, si në institucione shtetërore e lokale që varen zyrtarisht nga Podgorica apo komuna e Plavë-Gucisë, sipas kërkesave e praktikave të përbotshme demokratike, sipas kushteve e kritereve për antarësim euro-atlantik në BE e në NATO.
Politika shtetërore kundërshqiptare e Malit të Zi gjukanoviçian mbetet tejet diskriminuese ndaj shqiptarëve etnik në Plavë-Guci (realisht – mbi 20 për qind e popullsisë së saj) pasi niveli i përfaqësimit e i punësimit në këtë komunë është mbi katër herë ma i vogël se sa përqindja e duhur zyrtarisht.
2.
Shifrat flasin vetë për këtë komunë alpine me 486 km2 e 14.000 banorë, me tri qëndra lokale (Plavë, Guci, Murinë) dhe shtatë bashkësi lokale.
Në territorin e Plavë-Gucisë janë gjithsej 959 vende pune republikane apo komunare, të cilat plotësohen nga Podgorica ose Plava sipas kritereve të tyne publike e ajzberige.
Shqiptarët etnikë, sipas rregullave demokratike shtetërore dhe arsyes njerëzore, iu takon të kenë mbi 200 vende pune gjithsej në të gjitha nivelet zyrtare të atyshme.
Deri kohët e fundit, sipas të dhanave nga burime të ndryshme zyrtare, partiake e qytetare, del se në krejt Plavë-Gucinë janë të punësuar mbi 50 shqiptarë.
Rritja e përfaqësimit e punësimit të shqiptarëve në Plavë-Guci është tepër e ngadaltë, gjithësesi e pakët, në nivel të ulët, pavarësisht se së fundit po ndihet një erë e lehtë ndryshimi.
Mjafton veç ky fakt që të shqetësoj me reflektime Bashkimin Europian e Amerikën, po veçmas edhe dy shtetet kufitare të Shqipërisë e Kosovës, që ta kushtëzojnë Malin e Zi në marrëdhaniet e integrimit e të fqinjësisë me zgjidhjen e këtij problemi përditsor të shqiptarëve plavë-gucias. Askush nuk po i kërkon askujt që të veprojnë açik, veçse siç po ban Mali i Zi që e ka njoft shtetin e ri të Kosovës, po nuk janë vendos në Prishtinë e në Podgoricë misionet diplomatike, pasi e kushtëzon me zgjiedhjen e disa çështjeve të (pa)arsyeshme malazeze.
3.
Njihet (ndër)kombëtarisht kontributi politik e plebishitar i shqiptarëve në shpalljen e Pavarësisë së Malit të Zi, ku ka peshën e vet të randësishme edhe krahina e Plavë-Gucisë, e treta komunë për nga popullsia shqiptare, pas asaj të Ulqinit e të Tuzit. Shteti malazez ka mos mirënjohje të pafalshme ndaj shqiptarëve, nuk i vlerëson denjësisht si qytetarë të tij dhe në sjelljet e tij kolonizatore i sheh dhe i trajton shqiptarët si “popull i rendit të dytë apo të tretë”(!)
Kjo duket qartë tek ky fakt skandaloz: policia kufitare në Plavë-Guci i ka 157 vende pune, po dekteri vonë nuk ka shqiptarë të punësuar në rradhët e saj, ndërkohë që vijëkufini me dy shtetet shqiptare fqinjë, Shqipërinë Londineze dhe Kosovën dardane, shtrihet në rreth 80 km gjatësi.
Një tjetër qëndrim tepër racist e mosbesues ndaj shqiptarëve: shteti malazez i merr tre qytetarë të komunitetit boshnjakë në Plavë-Guci dhe i çon në kurse kualifikime për të mësue shqipen, pasi iu duhen për me komunikue me shqiptarët në anën tjetër të kufinit, ndërkohë që shqiptarët etnikë plavë-gucias mbeten pa punë dhe kalojnë si muhaxhir nëpër këto pika kontrolli kufitar tue marrë rrugët e mërgimit të prejkohshëm, ma së shumti në Amerikën përtej Adriatikut e Atlantikut.
Sjelljet koloniale mesjetare të shtetit malazez keqshfaqen edhe në mos përfaqësimin e shqiptarëve etnikë në Plavë-Guci në organet e drejtësisë. Është vetëm një prokuror dhe asnjë gjyqtar. Në zyra të shërbimit informativ malazez të atyshëm nuk ka asnjë shqiptar. Në këto raste kemi përjashtim ekstrem të faktorit e përqindjes shqiptare në këto organe, duke mos pasë në përbërje të tyre të paktën një shqiptar-përkthyes, etj. Ndërkohë që ndihet e domosdoshme pasi numri i hetimeve e i gjykimeve ndaj shqiptarëve është disi i lartë në krahasim me boshnjakët, serbët apo malazezët, edhe për arsyen e thjeshtë se përndiqen shpesh e diferencohen gjithkund për shkak të etnisë shqiptare.
Në policinë e shërbimeve publike nga 83 punonjës (policë e punëtorë administrativ) shqiptarët punësohen vetëm rreth 4 për qind, pavarësisht faktit që shqiptarët janë të dytët në popullsinë e përgjithshme të komunës dhe ka bashkësi lokale si në Vuthaj, Martinaj, etj. me mbi 90 për qind mono-etnike shqiptare. Edhe aty ku jepen dokumente personale edhe për shqiptarët ka 15 të punësuar të komuniteteve të tjera etno-kulturore, ndërsa shqiptarët nuk përfillen në përqindje zyrtare! Një dukuri e tillë negative raciste kaq ekstremiste nuk ndodh as në disa shtete nga ma diktatorialet në botë, si në Afrikë apo në Azi. Këto dëshmojnë se shteti malazez sillet si pushtues, është neo-kolonizator mesjetar.
Absurditete që nuk kanë astenjë shfajësim politik, moral apo zyrtar: në Entin e Punësimit në Plavë nuk ka shqiptar dhe atëherë si mund të thonë se ka interes shtetëror, partiak e komunar për punësimin e shqiptarëve?! Në Drejtorinë e Pyjeve ka 37 vetë të punësuar, kurse shqiptarët zënë vetëm mbi 6 për qind dhe ende ka vende të lira për punësimin e tyre. Paradoksale: në Organin për Kundërvajtje, në Qendren Sociale, në Postë, etj. nuk ka shqiptarë, në Qëndren Parashkollore vetëm 1 shqiptarë, etj.
Në institucionet e larta presidenciale, parlamentare e qeveritare në Podgoricën e Çetinë dhe në selitë e partive politike shqiptare në Ulqin e Podgoricë, e mirëdijnë këtë gjendje të randë në Plavë-Guci, po nuk ndërmarrin hapa të plotë me vullnet politik e njerëzor që ta ndryshojnë realitetin katastrofal të kësaj komune nga ma të varfërat e Europës.
4.
Çështja shtrohet edhe kështu: nëse në organet e drejtësisë, të sigurisë shtetërore e të policisë kufitare e të shërbimeve, të tatimeve, etj. emnimet i ka në dorë edhe Podgorica, kryeqëndra zyrtare e shtetit malazez, po komuna e Plavë-Gucisë me mbi 100 punonjës pse ka vetëm mbi 10 për qind shqiptarë në zyrat e saj?!
Në ente e organizma në varësi të kësaj komune përfaqësimi e punësimi i shqiptarëve kap rreth 8 për qind, një shifër ende e ulët, pasi flitet zyrtarisht për rreth 60 vende pune të mundshme.
Përndryshe: nga 73 vende pune në organizatat komunale të Plavë-Gucisë mund të punësohen rreth 20 shqiptarë, po janë në punë të ndryshme veç nja 5 për qind e tyne.
Tjetra: nga 24 vende pune në shërbimin zjarrfikës nuk ka astenji shqiptar, ndërkohë që përqindja i kërkon 6 vende pune.
Në dhomat e kulturës në këtë komunë ka 27 vende në organikë dhe në to duhet të punësohen deri në 7 shqiptarë etnikë.
Komuna, pavarësisht nga vështirësitë e (pa)dituna, i ka mundësitë edhe për shtimin e vendeve të reja të punës në shtrirjen gjeo-administrative të Plavë-Gucisë, si në mirëmbajtjen e liqenit të Plavës, në Parkun Nacional, në sektorin e pastrimit e deponimit të mbeturinave (që po i hedhin keqas gjithandej, paturpësisht edhe mbi varret e luftëtarëve të legjendares “Luftë e Nokshiqit”).
5.
Mos përfaqësimi e mos punësimi i rreth 200 shqiptarëve etnikë të Plavë-Gucisë në vendet e tyre të ligjshme brenda përqindjeve të kuotave zyrtare të kushtëzuara nga numri i popullsisë së saj ka problematikat e veta politike, etnike, fetare, etj.
Një prej tyne është zania e vendeve të punës të planifikuara për shqiptarët etnikë me të tjerë të etnisë boshnjake, serbe e malazeze.
Gjithashtu ka ndikue edhe fakti se ndërvite as Podgorica dhe as Plava nuk kanë pasë vullnet politik e njerëzor për përgaditje perspektive të shqiptarëve etnikë të atyshëm nëpërmjet shkollimit e kualifikimeve të ndryshme për disa vende pune si në shëndetësi, arsim, polici, etj.
Mbi të gjitha theksojmë se mos përfaqësimi e mos punësimi i shqiptarëve etnikë plavë-gucias dhe mos zhvillimi i kësaj krahine komunare të prapambetur ka të bajnë me vetë politikën shtetërore shovene raciste të Malit të Zi që don t’i shpërngulin shqiptarët për në botën e jashtme, që këta ta lëshojnë tokën e vet etnike shqiptare, etj.
Realisht Mali i Zi me demagogji e vello “demokratike” kërkon ta kryejnë përfundimisht proçesin e kolonizimit në Plavë-Guci nëpërmjet shpërnguljeve e spastrimit etnik të shqiptarëve trojenik. Shifrat flasin vetë: në vitin e pushtimit malazez të Plavë-Gucisë në tetor 1912 popullsia shqiptare ishte mbi 77 për qind dhe pas një shekulli shohim se shqiptarët etnikë janë 4 herë ma pak, ndërkohë që janë mbi trefishue etnitë e tjera si boshnjakët (mbi 44 për qind), serbët (rreth 20 për qind) e malazezët (mbi 14 për qind).
Gjithçka tashma po dihet dhe shihet: Mali i Zi po lufton ta kthejnë Plavë-Gucinë në një në një vend pa shqiptarë dhe bota shqiptare e ajo euro-atlantike nuk duhet të heshtin ndaj këtij kolonizimi mesjetar në Europën moderne.
Plavë-Guci, maj 2013