Podgoricë, 13 gusht 2024 – Pas arrestimit të biznesmenit kosovar me pasaportë malazeze, Naser Ramaj, i dyshuar për evazion fiskal, policia po kontrollon ligjshmërinë e procedurës përmes së cilës atij iu dha nënshtetësia e Malit të Zi në tetor të vitit të kaluar.
Ramaj është një nga pronarët e firmës “Alart Centar Budva – CG”, e cila po ndërton kompleksin rezidencial-tregtar Porto Budva, me vlerë prej 80 milionë eurosh.
Policia e dyshon se ai ka kryer evazion fiskal dhe ka kontribuar me 2 milionë euro në atë projekt, mbi bazën e të cilit e mori nënshtetësinë përmes skemës që njihet si “pasaporta e artë”.
Një ditë pas arrestimit, më 8 gusht, gjykata në Kotor vendosi masa të mbikëqyrjes ndaj Ramajt, përkatësisht atij iu ndalua largimi nga banesa dhe iu sekuestruan përkohësisht dokumentet e udhëtimit.
Nga gjykata kanë deklaruar se këto masa do të mbesin në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme dhe ato do të rishikohen çdo dy muaj, deri në marrjen e një vendimi përfundimtar.
Radio Evropa e Lirë e pyeti avokatin e Ramajt, Miro Axhiq, se si klienti i tij është përgjigjur ndaj akuzës që është ngritur ndaj tij.
“Unë konfirmoj se jam avokat i Naser Ramaj, por nuk jam i autorizuar të jap ndonjë informacion për procedurën përkatëse”, është përgjigjur shkurt ai.
Misteret e dhënies së nënshtetësisë
Paralelisht me padinë penale, policia ka nisur rishikimin e menjëhershëm të mënyrës se si Ramaj e mori nënshtetësinë malazeze gjatë mandatit të Qeverisë së mëhershme, që udhëhiqej nga Dritan Abazoviq.
Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Danillo Sharanoviq, ka thënë se nëse konfirmohet se procedura ishte e paligjshme, do të kërkohet që Ramajt t’i merret nënshtetësia.
“Është kyçe të dihet mbi çfarë baze Ministria e Financave ka dhënë mendim pozitiv për marrjen e nënshtetësisë [nga Ramaj] sepse nuk ka asnjë provë të shkruar në Ministri mbi bazën e së cilës është kryer verifikimi [i aktivitetit të biznesit të Ramaj në Mal të Zi]”, ka thënë Sharanoviq më 9 gusht.
Aleksandar Damjanoviq, i cili në atë kohë ishte ministër i Financave, nuk iu përgjigj kërkesës së REL-it për të komentuar deklaratat e ministrit aktual.
Policia ka konfirmuar se nënshtetësia Ramajt i është dhënë për shkak se ai është investitor në Porto Budva, duke thënë se kjo është bërë sipas nenit 12 të Ligjit malazez mbi shtetësinë.
Ky nen përcakton që shtetësia mund të fitohet me pranimin e një personi që është “me rëndësi të veçantë për interesin shtetëror, shkencor, ekonomik, kulturor, ekonomik, sportiv dhe interes të tjera të Malit të Zi”.
Dokumenti i MPB-së lidhur me fitimin e nënshtetësisë nga Naser Ramaj, i publikuar nga CGO më 29 nëntor 2023.
Nënshtetësia iu dha Ramajt më 27 tetor 2023 me propozimin e kryeministrit të atëhershëm, Dritan Abazoviq.
Procedura zgjati rreth dy muaj.
Sipas të dhënave të MPB-së, Ramaj parashtroi kërkesën për nënshtetësi më 28 gusht 2023, përmes procedurës së përshpejtuar.
Dy ditë më vonë, nga kabineti i Abazoviqit u kërkua një mendim nga ministri i Financave lidhur me kërkesën e Ramajt.
Më 2 gusht, Ministria e Financave u përgjigj pozitivisht, duke e konsideruar të justifikueshme kërkesën e biznesmenit kosovar.
Mbi bazën e këtij mendimi, Abazoviq më 14 shtator i propozoi ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Filip Axhiq, bashkëpartiakun e tij nga Lëvizja URA, që Ramajt t’i jepej nënshtetësia.
Ministria e Axhiqit e lëshoi një vendim përmes të cilit Ramaj fitoi statusin që të marrë nënshtetësinë e Malit të Zi më 27 tetor 2023, përmes procedurës së përshpejtuar.
Katër ditë më vonë, përfundoi mandati teknik i Qeverisë së Abazoviqit.
Në interesin e kujt ishte nënshtetësia e Ramajt?
Arrestimi i Ramajt është një tjetër provë në një sërë rastesh që tregon se dhënia e nënshtetësisë është keqpërdorur, kanë vlerësuar nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), qendër e cila prej vitesh e përcjellë këtë proces.
Nga kjo qendër thanë se dhënies së nënshtetësisë i parapriu një mendim pozitiv i Ministrisë së Financave dhe, siç thanë, një kontroll që pretendohet se u krye nga Agjencia për Siguri Kombëtare.
Ramaj e la me borxhe edhe klubin kosovar të futbollit
Nga viti 2018 deri në fund të vitit 2021, Ramaj ishte në krye të klubit të futbollit “Feronikeli” nga Drenasi në Kosovë. Sipas portalit Koha, ai la klubin me borxhe prej rreth 700 mijë euro, që u akumuluan gjatë tre vjetëve të fundit.
Përveç ndaj lojtarëve dhe trajnerëve, kjo shumë përfshinte edhe borxhin ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.
Koha gjithashtu përmendi një deklaratë të Ramajt të bërë në rrjetet sociale se se kriza financiare e detyroi atë të largohej nga pozita e presidentit të klubit.
Nga “Feronikeli” nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për borxhet e klubit gjatë kohës që Ramaj ishte në krye të tij.
Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse Ramaj ka kompani të regjistruara në Kosovë.
“Çdo gjë që ishte e dukshme për qytetarët mbeti jashtë radarit të atyre që duhet të kujdeseshin për interesat e shtetit”, thanë nga CGO më 8 gusht.
Kjo organizatë pyeti që në fund të vitit 2023 se kujt i interesonte t’i jepej nënshtetësia Ramaj, duke pasur parasysh se që në atë kohë, dy nga kompanitë e tij ishin në listën e debitorëve.
“Alart centar CG” ishte në listën e zezë të debitorëve fiskalë, ndërsa “Nova gradnja” (Ndërtim i ri) ishte bllokuar që nga qershori 2021 për një borxh prej mbi gjysmë milioni euro, raportoi CGO-ja në fund të nëntorit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave nga regjistri qendror ekonomik, “Nova gradnja” është themeluar në vitin 2011 me një kapital të përgjithshëm prej 10 eurosh. Kompania është në pronësi të plotë të Ramaj dhe merret me turizëm, tregti, hoteleri, import dhe eksport.
CGO njoftoi në prill të vitit 2023 se vetëm në shtatë muajt e parë të mandatit të Qeverisë së Abazoviqit u dhanë 413 nënshtetësi, përmes skemës së “pasaportës së artë”.
Padi penale ndaj drejtoreshës dhe kompanisë
Një padi penale për evazion fiskal është ngritur edhe kundër drejtoreshës ekzekutive të kompanisë së Ramaj, Valentina Goluboviq, si dhe kundër personit juridik, “Alart Centar Budva-CG”.
Goluboviq, e cila u mor në pyetje në Prokurorinë e Kotorrit më 1 gusht, nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it për këtë çështje.
Sektori për luftën kundër krimit dyshon se nga viti 2016 deri në vitin 2023, Ramaj i ka dhënë urdhra Goluboviqit që një pjesë e shënimeve noteriale për shitjen e pronave në kompleksin, Porto Budva, të mos paraqiten në kontabilitetin e kompanisë.
Nga ky sektor po ashtu thanë se një pjesë e të ardhurave nga shitja e atyre pronave nuk është paraqitur në dokumentacionin e biznesit, në mënyrë që të shmangej pagesa e tatimeve.
Dëmi i shkaktuar buxhetit të Malit të Zi deri tani është përcaktuar të ketë kapur shifrën prej 2.04 milionë eurosh, tha ushtruesi i detyrës së drejtorit të sektorit për luftën kundër krimit, Lazar Shqepanoviq, në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp më 9 gusht.
Ai po ashtu tha se Ramaj ka dosje në Policinë e Kosovës për veprën e falsifikimit të dokumenteve, por nuk dha më shumë detaje.
REL-i ka pyetur Policinë e Kosovës nëse Ramaj ka ndonjë dosje penale, për çfarë krimesh dhe në çfarë periudhe mund të jenë kryer ato.
”…bazuar në ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, Policia e Kosovës mbron të dhënat personale të personit/ave fizik të përfshirë në raste, te njëjtat të dhëna sipas kompetencës kur kërkohen u jepen organeve të drejtësisë”, thanë nga Policia e Kosovës.
Kontestet për kompleksin Porto Budva
Kompleksin Porto Budva, kompania e Ramajt po ndërton në një vend ekskluziv pranë Qytetit të Vjetër të Budvës dhe plazhit Sllovenska, rreth tridhjetë metra nga bregu.
Ndërtimi, që nga fillimi i tij në vitin 2017, është shoqëruar me dyshime për lidhje me korrupsionin.
Në atë kohë, kryetari i Komunës së Budvës, Dragan Krapoviq, deklaroi se shitja e tokës komunale për “Alart Centar” për atë investim “ishte një biznes i dyshimtë dhe korruptiv i liderit të atëhershëm të Budvës dhe kreut të Kuvendit komunal, Bor Lazoviq, nga Partia Demokratike e Socialistëve.
Në atë kohë në pushtet në Mal të Zi ishte Partia Demokratike e Socialistëve, e cila humbi pushtetin pas zgjedhjeve të mbajtura në gusht të vitit 2020.
Krapoviq gjithashtu deklaroi se Ramaj personalisht mori pjesë në hartimin e dokumentit planifikues për tokën që ai po blinte, por atëherë Prokuroria Speciale e Shtetit hodhi poshtë padinë penale të Krapoviq.
“Toka nuk u pagua kurrë me para, por përmes një ndërrimi të borxheve, gjë që ishte një model mirë i stërvitur i regjimit të mëparshëm”, deklaruan nga Partia e Demokratëve e Krapoviqit pas arrestimit të Ramaj.
Demokratët gjithashtu vlerësuan se Marko Careviq, një zyrtar i Frontit Demokratik prorus, i cili pas Krapoviqit ishte në krye të Budvës, kishte një “marrëdhënie shumë të favorshme, madje edhe personale” me Ramaj.
Betoni që ishte i nevojshëm për ndërtimin e atij objekti ishte një masë kompromisi, tha nënkryetarja e Demokratëve, Dragana Kazhanegra Stanishiq më 10 gusht, duke aluduar në bashkëpunimin e Ramaj me kompaninë ndërtimore të Careviqit.
Porto Budva është reklamuar si një kompleks që do të ketë 300 apartamente, një qendër tregtare me restorante dhe kafene, dhe është planifikuar një qendër spa me pishina të brendshme dhe të jashtme.
Apartamentet shiten me çmime rreth 400 mijë euro për rreth 50 metra katrorë, dhe deri në 1.2 milion për një penthouse me tre dhoma prej 110 metrash katrorë.
Ndërtimi i Porto Budvas, edhe pse planifikohej të përfundonte në fund të vitit 2023, ende nuk ka përfunduar.