Mali i Zi nuk do të dërgojë ushtarë në KFOR

Podgoricë, 18 maj 2021 – Qeveria e Malit të Zi është shprehur kundër dërgimit të një toge të këmbësorisë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi tha se ushtria e këtij shteti nuk do të dërgojë sivjet një togë të këmbësorisë në misionin e KFOR-it, siç thuhet, “për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore”.

“Për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi dhe për shkak të kufizimeve buxhetore, ushtria e Malit të Zi nuk planifikon më 2021 të kryejë aktivitete dhe ushtrime të përbashkëta, trajnime ose angazhim të togjeve të këmbësorisë në misionin e KFOR-it në Kosovë”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mbrojtjes të Malit të Zi.

Vendimit për mosdërgimin e trupave në Kosovë i parapriu një paralajmërim i hapur ndaj ministres së Mbrojtjes, Olivera Injac dhe kryeministrit Zdravko Krivokapiq, që vijnë nga partia në pushtet, Fronti Demokratik (FD), një parti pro-ruse, se do të mbahen përgjegjës nëse dërgojnë ushtrinë në Kosovë.

Mali i Zi mori vendim për të marrë pjesë në misionin e NATO-s në Kosovë në vitin 2008, vetëm një vit pasi u bë anëtar i NATO-s.

Mali i Zi iu bashkua NATO-s dhe KFOR-it gjatë kohës kur vendi udhëhiqej nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit Milo Gjukanoviq, e cila i  humbi zgjedhjet vitin e kaluar.

Qeveria e re e Malit të Zi është krijuar nga Fronti Demokratik, partia që ka një orientim të qartë anti-NATO, nga lëvizja qytetare URA dhe nga demokratët.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Pregrad Boshkoviq njëherësh zyrtar i partisë opozitare, Partisë Demokratike të Socialistëve, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i qeverisë aktuale për të mos dërguar ushtarë në misionin e KFOR-it në Kosovë është një tjetër dëshmi se qeveria është peng i politikave të Frontit Demokratik, që nuk kultivon vlerat evropiane dhe demokratike, në të cilat bazohet Mali i Zi.

“Është shqetësuese që shumica qeverisëse e pranon këtë gjë, thjesht për mbijetesën e kësaj qeverie, e cila është e paaftë dhe katastrofike për Malin e Zi, pavarësisht se ata nënshkruan një letër në fillim të shtatorit, ku u zotuan se do të respektojnë detyrimet ndërkombëtare të vendit tonë”, tha Boshkoviq.

Sipas tij, në këtë mënyrë po minohet besueshmëria e Malit të Zi te partnerët e NATO-s.

(r.m.)