Podgoricë, 2 prill 2023 – Në Mal të Zi po mbahen votimet për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Presidenti në detyrë Milo Gjukanoviq përballet me një sfidë të fortë nga ekonomisti Jakov Milatoviq, i arsimuar në Perëndim, i cili ka premtuar një fillim të ri pas një viti ngërçi politik. Asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte 50 për qind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve duke e çuar vendin në balotazh.
Rreth 540 mijë qytetarë kanë të drejtë vote deri në mbylljen e qendrave të votimit, në orën 20:00.
Mali i Zi ka një popullsi prej 620 mijë banorësh.
Milo Gjukanoviq, 61 vjeç, ka dominuar Malin e Zi si president apo kryeministër për 33 vjet, që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Kundërshtarët e kanë akuzuar atë dhe partinë e tij për kapje të republikës së vogël ballkanike, akuza që ata i mohojnë.
Rivali i tij në balotazhin që mbahet sot është 37 vjeçari Jakov Milatoviq, ish-ministër i ekonomisë dhe nënkryetar i lëvizjes Evropa Tani, e cila dëshiron lidhje më të ngushta si me Bashkimin Evropian ashtu edhe me Serbinë.
Zoti Gjukanoviq mori 35.37% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve më 19 mars, ndërsa zoti Milatoviq 28.92%, duke e dërguar vendin në balotazh pasi asnjëri prej tyre nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme prej 50% të votave.
Rezultati i zgjedhjeve ditën e sotme mund të jetë një tregues për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare që pritet të mbahen në 11 qershor të këtij viti.
(Zëri i Amerikës)