Maliq Arifaj, njeri i mirë e veprimtar i përkushtuari i çështjes kombëtare

Me rastin e ndarjes së tij nga kjo botë

Maliq Arifaj

Nga dr. Sadik Elshani

Më 24 shtator të këtij viti në Philadelphia u nda nga kjo botë njeriu i mirë, Maliq Arifaj. Familjarët humbën më të dashurin e tyre, shoqata jonë humbi anëtarin e nderuar, bashkësia shqiptaro – amerikane humbi veprimtarin e përkushtuar, ndërsa ne të gjithë humbëm mikun tonë të dashur e të shtrenjtë.

Maliqi ka lindur në fshatin Peqan të Suharekës/Therandës më 21 mars 1952. Katër klasët e para të shkollës fillore i ka mbaruar në fshatin e lindjes, ndërsa katër klasët e fundit në Suharekë. Pas mbarimit të arsimit tetëvjaçar ai u regjistrua në Shkollën Normale të Prizrenit, por pas 2 – 3 viteve, në vitin 1969, ai arratiset në Itali, ndërsa në vitin 1970 vendoset në ShBA. Si çdo emigrant tjetër në vitet e para të vendosjes së tij ai mundohet t’i përshtatet kushteve të reja jetësore duke punuar punë të ndryshme. Më vonë ai arrin që të krijojë biznesin e tij në fushën e shërbimeve të ushqimit, krijon familje.

Të punosh për ta mbajtur familjen, të përpiqesh për një jetë më të mirë për fëmijët është detyrë themelore, parësore e çdo personi që e ka lënë vendin e tij për një jetë më të mirë në Amerikë, në botën e lirë. Por, Maliqi përveç këtyre detyrimeve të zakonshme ka bërë edhe shumë gjëra të jashtëzakonshme. Prandaj, në këtë shkrim të shkurtër do të përqëndrohem pikërisht në këto veprimtari të jashtëzakonshme.

Ai që në fillim ka qenë mjaft i angazhuar në veprimtari të ndryshme atdhetare që organizonte atëherë komuniteti shqiptaro – amerikan për ta promovuar, çështjen e Kosovës, t’ia bënin të njohur botës demokratike vuajtjet e popullsisë shqiptare që jetonte në trojet e tyre në ish-Jugosllavi. Maliqi ka qenë bashkëpunëtor, bashkëveprimtar i ngushtë i Babë Tahirit (Tahir Kërrnaja), profesor Sami Repishtit e shumë të tjerëve.

Së bashku me vëllezërit Bitici (Bytyçi) e shumë të tjerë ai ka qenë i angazhuar në organizatën “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL), ku ai ka qenë Sekretar Ekzekutiv.

Vetëm ai e ka patur përgjegjësinë që t’i nënshkruajë të gjitha dokumentet e kësaj organizate, sepse ai kishte lindur në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore dhe askush nuk mund ta akuzonte atë si bashkëpunëtor të fashizmit. Veprimtari qendrore e kësaj organizate ka qenë çështja e Kosovës, përpjekjet dhe lufta për lirinë e pavarësinë e saj.

Maliqi më ka treguar se në murin e banesës së Tahir Kërrnajës, që njëherësh ka qenë edhe selia e kësaj organizate, ka qenë e shkruar kjo fjali: “Këtu flitet vetëm për Kosovë”.

Në fund të viteve të 60-ta të shekullit të kaluar shqiptarët në Kosovë e viset tjera shqiptare në ish-Jugosllavi i kishin shtuar përpjekjet e tyre për t’i gëzuar të drejtat e barabarta me kombet e tjera të Federatës Jugosllave. Kishte filluar një zgjim kombëtar, një rilindje e vërtetë. (Nuk ka nevojë të zgjatem më tepër këtu për atë periudhë se të tjerat i ka thënë historia). Roli, misioni i RShKBLka qenë që klithmat, vuajtjet e shqiptarëve në ish-Jugosllavi të bëhen të njohura në Botën Përendimore – botën e lirë. Të njoftohej bota demokratike për padrejtësitë e shumta që u bëheshin atëherë shqiptarëve, të ndërkombëtarizohet cështja e Kosovës. 

Ka qenë e vështirë që të thyhet miti për Jugosllavinë që mbizotëronte në botën përendimore si një vend më liberal se vendet e tjera të ish-Lindjes. Jugosllavi atëherë ishte e përkëdhelura, e dashura e Perëndimit, Departamentit Amerikan të Shtetit. Veprimtarët e RShKBL kanë organizuar veprimtari të llojllojshme: demonstrata para Shtëpisë së Bardhë, Kombeve të Bashkuara, takime me persona me influencë në politikën amerikane, senatorë e kongresmenë, personalitete të rëndësishmë të Administratave Amerikane, kanë shkruar e shpërndarë pamflete e memorandume drejtuar Sekretarëve Gjeneralë të Kombeve të Bashkuara, gazetarëve e gazetave të shumta e me ndikim në opinionin amerikan. Për të gjitha këto veprime duhej sakrificë guxim, mençuri.

Këto veprimtari nuk ishin edhe pa rrezik për jetën, sepse edhe në botën e lirë shtrihej dora e zgjatur e UDB-së jugosllave, kësaj organizate gjakatare, e cila i ka sjell shumë të zeza polpullit tonë. Për angazhimin e tij atdhetar si kundërshtar i pakompromis i regjimit jugosllav, Maliqi për 33 vite nuk ka mundur të shkojë në Kosovë e të vizitojë familjen e tij. Dhe kur është kthyer pas gjithë atyre viteve, nuk a ka njohur asnjë njeri. Vërtet një sakrificë e madhe personale. Veprimtaria e organizatës RShKBL është pasqyruar në detaje në librin e vëllimshëm, “Kosovo Path to Freedom – The Role of The Albanian Kosovar Youth in the Free World in the Liberation of Kosovo (Vatra, 2012) të autorit dhe veprimtarit të kësaj organizate, Sergio Bitici. Ndërsa arkivin e kësaj organizate Maliqi ia ka dorëzuar Muzeut të Kosovës.

Maliqi ishte një person i përzemërt, kishte një shpirt fisnik e të pastër, një ndershmëri të tejskajshme, natyrë të qetë e një komunikim shumë të ngrohtë e njerëzor. Ishte një atdhetar i flaktë, veprimtar i përkushtuar i çështjes kombëtare, sidomos asaj kosovare.E donte Shqipërinë e donte Kosovën, Amerikën – atdheun e tij të dytë, i donte shqiptarët, i donte njerëzit e mirë, përparimtarë e demokratë. Maliqi mishëronte, pasqyronte virtytet më të mira të popullit tonë: besnikërinë, mikpritjen, qëndresën, dashurinë e pakufijshme për kombin e atdheun, ndjenjën e sakrificës, respektin për njëri – tjetrin. Rrezatonte mirësinë njerëzore dhe frymën pozitive për bashkim. Dallgët e jetës, përvoja jetësore në kohëra të jashtëzakonshme e kishin kalitur karakterin e tij burrëror, njerëzor e atdhetar.

Maliqi ishte një vëzhgues i kujdesshëm, kronist e arkiv i gjallë i komunitetit shqiptaro – amerikan në këto 50 vitet e fundit, dëshmitar e pjesëmarrës aktiv i shumë ngjarjeve të komunitetit, njeri që i ka njohur nga afër dhe ka pasur bashkëpunim me figurat kryesore shqiptare në Amerikë. Ndër vite ka kultivuar dashurinë për të lexuar. Vazhdimisht lexonte literaturë artistike, publicistike e politike.Me shumë kujdes e vëmendje i përcillte procest, zhvillimet politike në Amerikë e trojet shqiptare, sidomos ato për ndërtimin e shtetit të ri të Kosovës.

Me vendosjen e tij në Philadelphia ai u anëtarësua në shoqatën “Bijtë e shqipes”, duke e vënë në shërbim të shoqatës përvojën e tij shumëvjeçare në organizimin e komunitetit. Kishte një respekt për shoqatën dhe drejtuesit e saj, punën me plot përkushtim, veprimtaritë e shumta e cilësore. Shpesh më thoshte se, shoqata “Bijtë e shqipes” është shoqata më e organizuar nga të gjitha shoqatat shqiptare që ai kishte parë ndonjëherë në Amerkë. Për angazhimin e tij në shoqatë e komunitet dhe veprimtarinë e tij shumëvjeçare atdhetare  shoqata “Bijtë e shqipes” e ka nderuar atë me “Certifikatë Mirënjohjeje”.

Largimi i parakohshëm i Maliqit nga kjo botë na ka pikëlluar të gjithëve, por ne gjithmonë do ta kujtojmë me shumë respekt, do t’i mbajmë të gjalla çastet e lumtura të kaluara së bashku.

Ditën e shtunë, 2 nëntor 2024, ora 5 – 8 pm, shoqata “Bijtë e shqipes” do të organizojë një Veprimtari Përkujtimore për të nderuar jetën dhe veprën e Maliq Arfajt. Veprimtaria do të zhvillohet në mjediset e shoqatës, në këtë adresë: 3322 Willits Road, Philadelphia, PA 19136. Të gjithë janë të mirëseardhur e të mirëpritur, sidomos bashkëveprimtarët e tij të kahershëm.

P. S.

Ka edhe shumë gjëra të tjera për t’u thënë për Maliqin, por atij nuk i pëlqenin shkrimet dhe fjalimet e gjata.