Mosdakordësitë mes palëve në mbledhjen e sotme e Këshillit të Legjislacionit në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të diskutohej propozimi i PS për zgjatjen e afateve të institucioneve të vettingut, ka bërë që opozita të braktiste sallën. Që në krye të herës, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj theksoi se kjo mbledhje duhet të shtyhej.
Sipas tij, kjo çështje duhej të diskutohet së bashku me propozimin e demokratëve për ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se mbledhja duhej të mbahej më 3 nëntor. Nga ana tjetër, deputetja e PS-së Klotilda Bushka tha se maxhoranca propozon që nismat të propozohen veç e veç dhe jo të gjitha së bashku pasi zgjatja e afateve të vettingut nuk pret pasi KPK ka mandat deri në qershorin e ardhshëm.
E vetmja që nuk iku nga salla, ishte deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho. “Kjo mbledhje është në respekt të plotë të rregullores. e njëjta procedurë do të plotësohet edhe për nismën tjetër ligjore. Ti japim nismave rëndësinë që meritojnë dhe të ndara si dy procese të kuvendit. Propozoj të vijojmë me rendin e ditës.”, tha Nikolla pasi opozita la sallën.
PJESE NGA DISKUTIMI
Rushaj:
Më datê 15 tetor është depozituar një nismë nga PS për ndryshimin e Kushtetutës .Më datë 20 është depozituar gjithashtu nga ne projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 8417, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar. Të dyja këto nisma, flasim për shtesa dhe ndryshime në të njëjtin ligj, që është Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Të dyja këto nisma janë lajmëruar njësoj, në të njëjtën seancë, më datë 25.10.2021 nga ju përpara të gjithë deputetëve të Republikës së Shqipërisë. Ne e shohim që keni respektuar afatin minimal që ka vendosur rregullorja e Kuvendit, sapo janë mbushur 2 javë, keni njoftuar mbledhjen e përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe Këshillin e Legjislacionit për të shqyrtuar nismën e deputetëve të shumicës, nëse po ky standard do të respektohet nga ana juaj, pasnesër me datë 3 nentor plotësohet i njëjti afat minimal për shqyrtimin e nismës së paraqitur nga opozita. Duke qenë se ligji që ndryshohet, është Kushtetuta, do të duhet të caktojmë relatorët dhe ekspertët për të dy nismat, duke qenë se këto nisma mund apo kanë ndërlidhje me njëra-tjetrën, ne sensin që mund të kenë ndikime dispozitat tek njëra-tjetra, dhe duke qenë se në kalendarin tre javor janë parashikuar në një pikë, ajo çfarë ne propozojmë është, të shtyhet kjo mbledhje dhe duke prezumuar i njëjti standard, për njoftimin e nismës në këtë mbledhje të përbashkët, do të ruhet edhe për propozimin e pakicës, pra të opozitës, të bëhet kjo mbledhje e përbashkët më datë 3 nentor, ku të caktohen relatorët e të dyja palëve për të dy nismat dhe kështu të vijojë në mënyrë të harmonizuar shqyrtimi nëpër komisione.
Bushka: Nisma përfshin një grup të caktuar interesi, ku do të kërkohet dhënia e mendimit të tyre. Kjo nismë do të përcaktojë vlerësimin e domosdoshme të shtyrjes së afateve të institucioneve të vettingut. Nisma e PD në fakt ka të ëbëjë me shumë çështje brenda saj që do të kërkojnë më shumë kohë. Vetëm para disa ditësh në lidhje me reformën zgjedhore, kolegët e PD kanë paraqitur një kërkesë për ngritjen enjë komisioni të posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kërkohet kohë dhe konsultim më i gjatë. Ne propozuam që nismat të shqyrtohen veç e veç dhe jo sëbashku.
Bardhi: Veprimtaria e komisioneve nuk është çështje opinioni. Kjo mbledhje e përbashkët bazohet në punimet e kuvendit. Një çështje nuk caktohet nëse nuk përfshihet në kalendarin e punimeve. Konferenca ka vendosur që të bashkojë këto iniciativa. Që do të thotë se kryetarja e Kuvendit në momentin që nxjerr urdhrin, do të duhet të ndjekë atë që ka miratuar Konferenca e Kryetarëve. Bëhet fjalë për ndryshime kushtetuese. Kjo është iniciativë që kërkon vota të përbashkëta, e më shumë se një grupi parlamentar dhe do të duhet të ndërtohet një proces i përbashkët. Një ndryshim ligjor, kushtetues, mund të prekë më shumë se një çështje, gjyqësorin, parlamentin. S’do ndërhyjmë 7 herë në kushtetutë, por vetëm një herë. Ndaj kërkojmë shtyrjen e kësaj mbledhje siç propozoi kryetari i grupit. Mos na detyroni ne që të shkelim rregulloren e Kuvendit, që ka caktuar të dyja çështjet që t’i diskutojmë bashkë.
Nikolla: Sot jemi mbledhur në respekt të rregullores. Do të ndiqet në respekt të rregullores, procedura dhe për iniciativën tjetër. Mendoj që të hedhim në votë propozimin për të vijuar rendin e ditës.
Rushaj: Nuk është prioritare kur do marrin rrogën 14 vetë, nëse nuk pranoni as kaq, do të thotë se nuk doni fare opozitën në tavolinë.
Nikolla: Fakti që jeni refraktar ndaj kësaj tryezë s do të thotë se nuk ju duam në tavolinë, komente të tilla s ju shkojnë për shtat. le ta hedhim në votim
Felaj: Është tërësisht legjitime si mbledhje, ka një iniciativë paraqitur nga 1/5 e deputetëve. kryetarja ia ka vënë në dispozicion deputetëve. Ky nen nuk na lejon të mblidheshim para dy javësh. Nuk ka lidhje konferenca se nuk vendos konferenca për këtë. Jemi mbledhur komform nenit 77 A, nuk është bërë ende dy javë, ta ndalon rregullorja, nëse doni ta përdorni si justifikim për të mos u ulur bashkë është gjë tjetër. ju ftoj të mos nxitoheni, kërkesa juaj mund të realizohet në vijim por jo sot. S’mund të merret në shqyrtim pa kaluar dy javë. Çështja është e thjeshtë, do zhvillojmë këtë procedurë sot, sikur do veprojmë edhe për nismën tuaj.
Alibeaj: Ka shumë tension, s’duhet të ketë, jemi në fillim të diskutimit të dy nismave të depozituara të njoftuara prej jush. kjo nuk është dhe s’ka si të jetë kushtetuta e maxhorancës apo opozitës. Është kushtetuta e shqiptarëve, duhet parë në mënyrë integrale. S mund të ketë 2 kushtetuta. T’i bëjmë thirrjes arsyes dhe rregullores, mos përfitojmë nga fakti që publiku s është aq familjar me procedurat. Me një tempizëm ekstrem.. ju kujtoj që rregullorja thotë shqyrtimi mund të nisë jo më shpejt se dy javë, ndërkohë kërkesa logjike është duke ruajtur të njëjtin temp kërkesa jonë është shqyrtimi të nisë dy javë e tre ditë, të mërkurën.
(BalkanWeb)