Maqedonasit nuk i duan shqiptarët por i duan paratë e tyre

Anketa e zhvilluar gjatë muajit maj nga Instituti maqedonas “Dimitrije Çupovski” ka rezultuar se për maqedonasit, Shqipëria dhe Kosova shihen si rrezik potencial i vendit, kurse Serbia dhe Bullgaria si vende mike dhe dashamirëse të Maqedonisë

 

Zejnulla Veseli

Shkup, 13 qershor – Disponimi antishqiptar i maqedonasve  se nuk duan t’i shohin si fqinjë të mirë Kosovën dhe Shqipërinë i shprehur anketën e fundit të realizuar nga Instituti “Dimitrije Çupovski”, për ekspertët ekonomik është një brengë e madhe jo vetë për ata por edhe për sociologët, historianët ose edhe psikologët që ta studiojnë këtë burim energjie negative ndaj fqinjëve prej të cilëve ekonomikisht janë të varur.

“Ky mllef aktivizohet si me ‘telekomandë’ sa herë që porositësi e dëshiron atë. Në aspekt të shprehjes së urrejtjes kolektive të maqedonasve ndaj fqinjëve të tyre vetëm pse janë shqiptarë, kërkon analiza më gjithëpërfshirëse socio-psikologjike. Aq më brengosësh është fakti tjetër i kësaj ankete ku midis tjerash rezultoi preferenca më e lartë e maqedonasve për të jetuar pranë të keqes më ‘të vogël’ dhe zgjodhën serbët dhe romët si bashkëqytetar të tyre në vend të shqiptarëve dhe askush nuk ‘u trondit’ nga ky fenomen socio-patologjik i bashkëqytetarëve tanë”, thotë akademiku dhe eksperti ekonomik Abdylmenaf Bexheti.

Sipas “prioritetit të urrejtjes” duke filluar nga shqiptarët vendor, pastaj asaj të fqinjësisë me Kosovën dhe Shqipërinë  ndërsa më “miqësor” me Serbinë, kjo e fundit sipas akademikut Bexheti shtron çështjen se ku buron kjo energji dhe vallë çfarë të keqe dhe rreziku shohin nga ne bashkëqytetarët e tyre si mbushës më të mëdhenj të buxhetin dhe pikërisht kosovarët dhe shqiptarët e Shqipërisë këto 10 vitet  e fundi e mbajnë gjallë ekonominë e Maqedonisë.

“Së pari, shqiptarët vendorë janë kontribuesit më të mëdhenj me transferta dhe remitime financiare nga bota e jashtme që janë burimi më i madh i shpëtimit ekonomik të vendit. Po ashtu sipas konsumit të përgjithshëm sërish shqiptarët janë tatimpaguesit më të mëdhenj në vend. Incidenca fiskale ndaj shqiptarëve është shumë më e madhe se ndaj tjerëve dhe se shqiptarët, krahasuar me kontributin e tyre fiskal, thithin shumë pak. Me një fjalë, shqiptarët janë financues neto të buxhetit të shtetit”, thotë Bexheti

Kosova dhe Shqipëria shprehet Bexheti  janë të vetmet vende në regjion me të cilat Maqedonia ka bilance dukshëm pozitive, edhe pse vendi reflekton ose eksporton energji negative ndaj tyre, bile me përpjesëtim të zhdrejtë , vlera e madhe e suficitit e, më këtë, edhe përfitimi ekonomik pasohet me nivelin më të madh në reflektimin e urrejtjes.

“Shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë nga aspekti ekonomik paraqesin tregun më të rëndësishëm për Maqedoninë. Kosova, në vlera absolute, menjëherë pas Gjermanisë është partneri më i rëndësishëm tregtar i Maqedonisë me një suficit të lartë tregtar, kurse në përmasa relative sigurisht se bindshëm ia kalon edhe Gjermanisë për nga rëndësia. Nëse bëhen edhe krahasimet e cilësisë dhe çmimeve margjinale, sigurisht që Kosova është pakrahasimisht absorbuesja më e madhe e prodhimeve substandarde të Maqedonisë. Ndërsa në anën tjetër Serbia gjithë kohës ka qenë treg deficitar për Maqedoninë”, thotë Bexheti

Ndërkaq Shenaj Haxhimustafa, eksperte ekonomike vlerëson se mllefi i qytetarëve maqedonas ndaj bashkëqytetarëve të tyre shqiptar dhe ndaj Kosovës dhe Maqedonisë si vende fqinje nuk do ndikon në uljen e këmbimit tregtar me këto dy vende për shkak se anketa e zhvilluar është realizuar pikërisht në një kohë të klimës së keqe politike në vend.

“Nuk besoj se në mënyrë drastike mund të ketë rrënje të bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë më të cilët Maqedonia ka suficit të lartë tregtar me këto dy vende. Qytetar asnjëherë nuk duhet të jenë pre e deklaratave politike të cilët shpeshherë i përdorin politikanët për acarimin e marrëdhënieve etnike në vend si dhe me vendet fqinje si Kosova dhe Shqipëria” thotë Haxhimustafa.

Prandaj është shumë e rëndësishme moment i realizimit të këtyre anketave dhe sipas Haxhimustafës anketa të këtilla nuk duhet  të ndodhin kur kemi klime të acaruara politike.

“Është shumë me rëndësi kur bëhet këtu anketa dhe kush është porositës i këtyre anketave. Pra nuk duhet të bëhet anketa nëse në vend një kohë të gjatë ka përkeqësim të klimës politike që do t’i  çonte qytetarët Maqedoni të shprehnin mllefin në radhë të parë ndaj bashkëqytetarëve të tyre shqiptar e më pak edhe për fqinjët e tyre”, thotë Haxhimustafa

Ajo shpreson se komuniteti i biznesit në Maqedoni nuk do të bien viktimë e kësaj por se do të vazhdon edhe në të ardhmen të shfrytëzon të gjitha mundësit për përfitimin e profiteve më të mëdha më këto dy tregje fqinjësore.

“Kam shpresë se komuniteti i biznesit nuk do të jenë nën ndikimin e ndjenjave nacionaliste por se do të punojnë më shumë në rritjen e këmbimit tregtar me vendet fqinje siç janë Kosova dhe Shqipëria, me popullsi të pastër etnikisht shqiptar  të cilët pothuajse e ndihmojnë ekonomikisht së Maqedoninë”, tha Haxhimustafa.

Anketa e zhvilluar gjatë muajit maj nga Instituti maqedonas “Dimitrije Çupovski”, ku janë përgjigjur 1050 qytetarë, ka rezultuar se për maqedonasit, Shqipëria dhe  Kosova janë vende fqinje të orientuara negativisht dhe shihen si rrezik potencial i vendit, kurse Serbinë dhe Bullgarinë i shohin si vende mike dhe dashamirëse të Maqedonisë. Po ashtu sa i përket pyetjes se cilin etnitet në Maqedoni do të kishit dashur ta keni fqinjë ka rezultuar preferenca më e lartë e maqedonasve për të jetuar pranë të keqes më “të vogël” dhe zgjodhën serbët dhe romët si bashkëqytetar të tyre për fqinjësi të mirë në vend të shqiptarëve.